Aksidenti tragjik i mori jetën 18-vjeçarit shqiptar, arrestohet shoferi i audit të vjedhur, po ecte me 150 km/orë

Një aksident tragjik ka ndodhur në Bologna të Italisë, ku një 18-vjeçar shqiptar, Valjero Maksuti, humbi jetën, ndërsa shoku i tij 19-vjeçar mbeti i plagosur dhe është arrestuar nga policia italiane.

Sipas mediave italiane, dy të rinjtë po tentonin t’i iknin patrullës së policisë me një makinë tip Audi të vjedhur. Automjeti u raportua i vjedhur natën midis 8 dhe 9 shtatorit.

Në përpjekje për t’u larguar, 19-vjeçari humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me një shtyllë ndriçimi. Përplasja ishte aq e fortë sa makina u nda në pjesë dhe u gjetën brenda edhe mjete për vjedhje, përfshirë një çekiç.

Policia italiane arrestoi 19-vjeçarin për vrasje me makinë, posedim mallrash të vjedhura dhe rezistencë ndaj arrestimit. Hetimet janë ende në hapat e para dhe nuk është e qartë se kush e vodhi fillimisht makinën ose cili ishte qëllimi i dy djemve në momentin e ndjekjes.

Videoja e publikuar nga dëshmitarët tregon momentin e aksidentit, duke dokumentuar shpejtësinë e madhe të makinës dhe përplasjen dramatike me shtyllën.