Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësimin e thellë për sigurinë ushqimore në vend, pas rasteve të përsëritura ku produkte shqiptare janë bllokuar në kufijtë e Bashkimit Europian për shkak të niveleve të larta të pesticideve.
“Çfarë vendosim në tryezat tona çdo ditë nuk është thjesht një zgjedhje ushqimore, por një çështje sigurie dhe rreziku për jetën,” theksoi Tabaku, duke kujtuar rastet e mandarinave, domateve, specave e pjeshkëve të bllokuara nga BE gjatë muajve të fundit.
Sipas saj, mungesa e kontrolleve, laboratoreve modernë dhe mbështetjes për bujqësinë po e kthejnë sigurinë ushqimore në një nga problemet më serioze për qytetarët shqiptarë. “Kjo nuk është luks, është parakusht për shëndetin e qytetarëve dhe për vetë procesin e integrimit europian,” u shpreh ajo.
Tabaku paralajmëroi se do ta ndjekë këtë çështje deri në fund, duke theksuar se siguria ushqimore është mbi të gjitha një çështje jete. “Asnjë inteligjencë artificiale nuk e mbulon dot mungesën e kontrollit për atë që hamë çdo ditë,” tha deputetja demokrate.