Pas Thethit, IKMT shemb banesat edhe në Valbonë! Deputeti i PD-së: I ndërtuan me mund e me djersë! Asnjë procedim për ata që i lejuan

Pas fshatit turistik të Thethit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit prej ditës së djeshme ka nisur shembjen e banesave edhe në Valbonë.

IKMT ka prishur 8 objekte të ndërtuara me betonarme të premten, ndërsa sot ka planifikuar shembjen e 12 strukturave prej betoni dhe ngrehinave, që sipas tyre, janë të ndërtuara pa leje.

“Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), me mbështetjen e Policisë së Shtetit, po vijon aksionin në Parkun Kombëtar të Valbonës, Tropojë, për prishjen e ndërtimeve të paligjshme.

Pas aksionit të djeshëm, ku u prishën 8 objekte të ndërtuara me betonarme, ditën e sotme IKMT ka evidentuar dhe planifikuar prishjen e 12 strukturave prej betoni dhe ngrehinave të ndërtuara pa leje.

Evidentimi dhe goditja e paligjshmërisë do të vijojë pa ndërprerje, duke garantuar mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e zonave të mbrojtura”, informoi IKMT.

Pas nisjes së shembjeve në Valbonë, ka reaguar edhe deputeti i PD-së, Isuf Çelaj, i cili shprehet se banorët i ndërtuar me mund e me djersë.

Çelaj shrehet se nuk ka asnjë procedim administrativ apo penal për të gjithë ata zyrtar pjesë të strukturave ligjzbatuese që kanë lejuar ti ndërtojnë.

“#Fadromat e IKMT-së rilindase sot kanë shkatërruar disa ndërtesa në fshatin Valbonë duke ua shkatërruar ato që ata i kanë ndërtuar me shumë mundin e djersë!!!

#Ajo që vërehet dhe për këtë qytetarët janë të indinjuar se pse nuk ka asnjë procedim administrativ apo penal për të gjithë ata zyrtar pjesë të strukturave ligjzbatuese që kanë lejuar ti ndërtojnë ato ndërtesa! Ato ndërtesa nuk janë ndërtuar për një natë e as pa një dakortësi korruptive të atyre që e kanë detyrë zbatimin ligjit dhe sqarimin e banorëve për procedurat e paisjes me leje ndërtimi!”, shkroi ai.