Për botën e jashtme, Robert Andrews Jr, 34 vjeç, ishte një baba i thjeshtë, punëtor, që jetonte në një shtëpi modeste në Newport, Uells. Nuk kishte makina luksoze, veshje firmato apo ndonjë shenjë që të bënte të dyshoje për ndonjë aktivitet kriminal.
Por sipas policisë, pas kësaj fasade fshihej një bos droge, i cili drejtonte një rrjet kriminal të mirëorganizuar, që shpërndante kokainë dhe heroinë me shumicë në të gjithë Uellsin jugor.
“Nuk kishte asgjë të shndritshme tek ai. Veshjet e punës, sjellja e zakonshme, asgjë nuk të bënte të mendoje që ishte një trafikant droge,”, tha një agjent i infiltruar për dokumentarin e BBC-së Catching a Crime Boss.Si ra në gjurmët e policisë
Emri i Andrews Jr nuk ishte as në radarin e policisë deri në momentin kur oficerët zbuluan mesazhe WhatsApp në telefonin e një tjetër bosi droge, Kerry Evans, i cili tashmë është dënuar me 14 vjet e 5 muaj burg.
Në mesazhe, të dy diskutonin për marrëveshje droge me shifra gjashtëshifrore dhe bënin shaka se ose do bëheshin milionerë, ose do ndanin një qeli.
Ky “informacion i pakët” mjaftoi që njësitë speciale të Gwent Police të nisin operacionin “Mayland”, një hetim i fshehtë që do të zbulonte përmasat e jashtëzakonshme të aktivitetit kriminal të Andrews Jr.Takime sekrete
Agjentët filluan të ndjekin Andrews Jr dhe shpejt identifikuan një vend të fshehtë në një zonë pyjore afër autostradës M4, të cilën ai e përdorte për shkëmbime droge dhe para.
“Ishte një zonë shumë e dendur, askush nuk shkonte atje rastësisht,” tha një nga agjentet. “Krimi ndodhte jashtë syve të publikut.”
Në një prej këtyre takimeve, një shofer taksie, Mohammed Yamin, u ndalua nga policia menjëherë pasi kishte marrë 2 kg kokainë të pastër, me një vlerë në rrugë prej 200 mijë paundësh. Ai u dënua me 6 vjet e gjysmë burg për posedim me qëllim shpërndarje.
Hetimi zbuloi se Andrews Jr përdorte metoda të sofistikuara për të verifikuar dërguesit e parave, duke përdorur numra serialë të kartëmonedhave si kode identifikimi për transaksione të mëdha.
Në një rast, ai verifikoi një kartëmonedhë 5 paund për të siguruar që po ia dorëzonte 109 mijë paund njeriut të duhur. Brenda dy javësh, kishte kryer gjashtë pagesa me vlerë totale prej 650 mijë paundësh tek furnizuesit.
“Ai nuk ishte një shitës rruge. Ai tregtonte me kilogramë, si të ishin thasë me sheqer,” tha shefi i hetimeve, Andrew Tuck.Arrestimi
Pak para Krishtlindjeve të 2023, njësitë speciale sulmuan shtëpinë e tij në orët e para të mëngjesit. Ndërsa policia hynte në dhomën e tij, Andrews Jr tentoi të fshihte telefonin celular mbi një dollap, por ishte shumë vonë.
Në telefonin e tij u gjetën shënime të detajuara të porosive, detyrimeve financiare dhe klientëve, që përforcuan rolin e tij si koka e një grupi të strukturuar kriminal.
“Qeshi dhe dukej i pashqetësuar gjatë arrestimit,”, raportoi një nga agjentët.
Robert Andrews Jr pritet të përballet me një dënim të rëndë penal, ndërsa policia beson se kanë goditur një rrjet të gjerë trafiku droge, që operonte në mënyrë të sofistikuar dhe me struktura të mirëorganizuara në rajon.