Autoritetet britanike do të nisin të shqyrtojnë këtë të hënë rrethanat e vetëvrasjes së emigrantit shqiptar Leonard Farruku.
Në vitin 2023, shqiptari u çua nga Ministria e Brendshme britanike Home Office, në një anije hotel, ku ai humbi jetën disa itë më vonë. Gazetari, Muhamed Veliu, ka siguruar raportin prej 65 faqesh, hartuar nga psikiatri Dr Dinesh Maganty, ku janë renditur një mori me neglizhenca, në ekzaminimin në kohë të problemeve shëndetësore të Leonardit.
Në raport, nënvizohet se në kushtet e një shëndeti mendor të rënduar, ai nuk duhet të çohej në anijen hotel nga Home Office. Zemërimi, agresioni dhe hedhja e sendeve të Leonardit në recepsionin e hotelit tregojnë se ai kishte mendje të çrregullt dhe nuk ishte në gjendje të kuptonte plotësisht pasojat e veprimeve të tij.
“Në korrik 2023, policia refuzoi ta arrestonte Leonardin sepse konsideroi se sjellja e tij ishte për shkak të problemeve të shëndetit mendor. Ata duhet ta kishin ndaluar atë në një vend të sigurt, pra në një spital, dhe të kishin rregulluar që ai t’i nënshtrohej një vlerësimi të shëndetit mendor nga një mjek i kualifikuar dhe profesionistë të autoriteteve lokale”.
Në raport shpjegohet se çfarë ndodhi kur Leonardit iu tregua vendimi për ta çuar nga hoteli “Esplanade” në anijen “Bibby Stockholm”.
“Kur Leonard mori letër e Home Office në lidhje me zhvendosjen në barkë më 24 tetor, është e dyshimtë që ai të ketë qenë në gjendje të angazhohej në proces për shkak të sëmundjes së tij mendore, që do të thoshte se ai nuk mund të mendonte në mënyrë koherente ose logjike, ose të kishte njohuri ose të kuptonte se si sëmundja e tij po e ndikonte atë”.
Mospasja e kujdesit mjekësor, thekson raporti, vijoi edhe kur Leonard Farruku nisi të jetojë në anijen hotel Bibby Stockholm.
“Leonardi nuk u pa nga një mjek i përgjithshëm, një infermiere apo mjek specialist i shëndetit mendor në barkë. Atij iu caktua një shok dhome më 27 nëntor 2023, por nuk ndërveproi me të. Ai nuk dukej se fliste me njerëz të tjerë në barkë, ishte i izoluar dhe nuk ulej me askënd tjetër gjatë vakteve. Ai nuk doli nga dhoma e tij në barkë për 4 ditë midis 7 dhe 10 dhjetorit 2023 dhe më 10 dhjetor 2023 një banor tjetër e pa me sy të skuqur dhe mendoi se kishte qarë”.
Ka shumë të ngjarë që sëmundja mendore e Leonardit të ketë kontribuar ndjeshëm në veprimet që çuan në vdekjen e tij të vetëshkaktuar.
“Anija nuk ishte një mjedis i përshtatshëm për dikë me simptomat e Leonardit dhe do kishte qenë e dëmshme për shëndetin e tij mendor. Kjo për shkak se ishte një mjedis i mbyllur dhe nuk kishte mbështetje të mjaftueshme për shëndetin mendor. Trajtimi i Leonardit duhej të kishte ndjekur një qasje terapeutike shumëdisiplinore dhe për rezultatin më të mirë duhej të kishte përfshirë një kombinim të medikamenteve, terapisë psikologjike, kujdesit mjekësor dhe terapisë okupacionale”.
Gjyqtarja Rachael Griffin do të dëgjojë palët në këtë proces e më pas do të publikojë vendimin dhe përgjegjësit për këtë ngjarje ku humbi jetën Leonard Farruku.