Rama ‘shpërthen’ ndaj britanikëve: Farage flet marrëzira, shqiptarët u përdorën si vegël për Brexit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të liderit të partisë Reform UK, Nigel Farage, në Britaninë e Madhe, duke i cilësuar si të pavërteta dhe fyese.

Në një intervistë për radion britanike Times Radio, Rama e quajti “marrëzi” pretendimin e Farage se “1 në çdo 50 shqiptarë në Britani është në burg”.

Ndërkohë që deklarata të tilla nga politikanë britanikë që lidhen me emigrancionin, Kryeministri Edi Rama i konsideroi populizma si pjesë e një fushate më të gjerë dhe që ndikuan në referendumin për daljen e Britanisë nga BE, proces që njihet si Brexit.

“Nuk ka një numër të lartë të shqiptarëve të dënuar në Mbretërinë e Bashkuar që të veçohen nga totali i të burgosurve apo nga shtetasit e vendeve të tjera. Këto janë pjesë të një mozaiku më të gjerë gënjeshtrash dhe argumentesh mashtruese që iu servirën qytetarëve britanikë për t’i bindur të dalin nga Bashkimi Evropian”, u shpreh Rama.

Rama gjithashtu theksoi se shumë sektorë të rëndësishëm në Mbretërinë e Bashkuar do të kishin vështirësi serioze për të funksionuar pa punën e emigrantëve shqiptarë.

“Ku do t’i gjeni njerëzit për të ndërtuar shtëpitë tuaja, për t’ju shërbyer kafen, për të drejtuar taksitë dhe kamionët tuaj”, shtoi Kryeministri i Shqipërisë.

Edi Rama përsëriti ftesën publike drejtuar Nigel Farage për të vizituar Shqipërinë dhe për të parë nga afër realitetin e vendit.

“Ai ka thënë se do të vijë për një vizitë, dhe unë do të jem shumë i lumtur ta takoj. Është një mundësi e mirë për të njohur nga afër një njeri me shumë talent e inteligjencë, pavarësisht nga teatraliteti i tij politik, dhe për t’i treguar bukuritë e Shqipërisë. Mbase e bindim ta zgjedhë Shqipërinë si destinacion për pushimet e tij”, përfundoi Rama.

Mes Kryeministrit shqiptar dhe politikanit britanik Nigel Farage ka patur replika në rrjetet sociale gjatë muajve të verës, pikërisht për emigrantët shqiptarë.