Giorgio Armani, mjeshtri i elegancës italiane, ka lënë pas një testament po aq të menduar sa edhe koleksionet e tij.
Sipas Corriere della Sera, ndër emrat e përfshirë në trashëgiminë e stilistit shfaqet një figurë surprizë, Michele Morselli, 42 vjeç, administrator i përgjithshëm i Immobiliare Srl, shoqëria që menaxhon pasurinë e paluajtshme të “Re Giorgio”.
Morselli, i njohur më shumë në botën e biznesit sesa në pasarela, ka administruar një portofol luksoz që përfshin vila në Saint-Tropez, Pantelleria, Antigua, Broni dhe New York, me një vlerë neto prej rreth 289 milionë euro. Për besnikërinë dhe punën e tij, Armani i ka lënë menaxherit një trashëgimi të konsiderueshme, si obligacione shtetërore italiane (BTP) me vlerë afro 32 milionë euro, aksione të EssilorLuxottica me vlerë mbi 26 milionë euro, si dhe disa pasuri personale, përfshirë makina historike.
Në testament parashikohet gjithashtu që Morselli dhe familja e tij të mund të përdorin, për dy javë në vit, jahtin personal të stilistit. Gjithashtu, një apartament në New York dhe rezidenca në Saint-Tropez, të lëna për Dell’Orcos, do të jenë të hapura për qëndrime të përkohshme nga Morselli.
Menaxheri, sipas Corriere della Sera, është një sipërmarrës pasionant pas sportit, luan padel, peshkon, merret me çiklizëm si dhe është i përfshirë në hipizëm. Në gusht ai u emërua anëtar bordi në Blu Basket Bergamo, ekip që garon në kampionatin italian të basketbollit, Serie A2, një pasion që e ndante me Armani-n.
Stilisti nuk e ka harruar as vajzën e Morsellit, Biancën, të cilën e kishte për zemër. Për të, Armani ka lënë një polizë sigurimi me vlerë disa milionëshe, që do t’i likuidohet kur ajo të arrijë moshën 25 deri 30 vjeç. Në total, Morselli përfiton rreth 15 prona në Milano, përfshirë një apartament prestigjioz në Via Borgonuovo.
Testamenti i Giorgio Armani-t pasqyron jo vetëm kujdesin e tij për të ardhmen e markës dhe njerëzve të afërt, por edhe marrëdhëniet e veçanta që ka ndërtuar me ata që ndihmuan në ngritjen e një prej perandorive më të mëdha të modës italiane.