“Atmosferë vere në mes të shtatorit”/ Meteorologia Porja bën parashikimin: Ja kur priten reshjet e shiut

Edhe pse jemi në mesin e shtatorit, moti vijon të ruajë karakterin veror, sipas parashikimit të meteorologes Lajda Porja. Ajo bëri të ditur se kjo javë do të jetë kryesisht e qëndrueshme, me temperatura të larta dhe mot të kthjellët në pjesën më të madhe të vendit.

“Vijon ende atmosfera e verës edhe pse jemi në mesin e shtatorit. Java parashikohet të jetë e qëndrueshme, por nga e mërkura do të kemi vranësira dhe reshje të pakta, vetëm në skajin verior të vendit. Në fundjavë do rikthehen ditët me diell,” u shpreh Porja.

Sipas saj, temperaturat e ajrit kanë qenë 4-5 gradë më të larta se mesatarja sezonale.

“Sot, termometri do të shënojë deri në 23°C, ndërsa nesër pritet të ngjitet në 33°C. Të mërkurën do të kemi një rënie të lehtë në 30°C, por nga e enjtja dhe e premtja temperaturat do të rriten sërish, duke kulmuar në fundjavë me vlera deri në 35°C – tipike për stinën e verës”.

Për të gjithë ata që planifikojnë të frekuentojnë bregdetin, meteorologia siguroi se do të jetë një kohë mjaft ideale për pushime.

Sa i përket rajonit, edhe pjesa më e madhe e Ballkanit do të mbetet nën ndikimin e motit të kthjellët. “Në Malin e Zi dhe në Kosovë do të ketë reshje të pakta në mesin e javës, por më pas pritet përmirësim. Kosova në fundjavë do të shënojë 32°C, ndërsa Maqedonia e Veriut do të ketë temperatura deri në 24°C,” theksoi Porja.