Washington Post ka zbuluar se Tyler Robinson, 22-vjeçari i arrestuar për vrasjen e influencuesit konservator amerikan Charlie Kirk, kishte pranuar aktin në një bisedë të mbyllur në platformën Discord, disa orë përpara se të dorëzohej tek autoritetet.
Sipas gazetës amerikane, Robinson dërgoi një mesazh në një grup privat me rreth 30 anëtarë: “Përshëndetje, kam lajme të këqija për ju. Isha dje në UVU. Më vjen keq për gjithçka… Do të dorëzohem me ndihmën e një miku oficer pas pak minutash. Faleminderit për momentet e bukura. Ju dua të gjithëve”.
Sipas drejtorit të FBI-së, Kash Patel, Robinson u arrestua rreth orës 22:00 të së njëjtës ditë, vetëm pak pas publikimit të mesazhit.
Askush nuk reagoi ndaj mesazhit të Robinson atë natë. Të nesërmen, një nga anëtarët e grupit shkroi: “Duket se është e vërtetë. Lutuni për Tylerin dhe pendesën e tij.”
Në të njëjtin grup, kur u publikua lajmi për vrasjen, një anëtar shkroi: “E qëlluan Charlie Kirk… Nuk e meritonte të largohej kështu.” “Vërtetë e trishtueshme”, komentoi një tjetër.
Discord dorëzoi kopje të bisedës tek autoritetet. Fillimisht, kompania kishte deklaruar se “nuk kishte gjetur dëshmi se përdoruesi kishte planifikuar dhunë përmes platformës”, por provat e mëvonshme treguan për një pranim të drejtpërdrejtë.
Ndërkohë, sipas një raporti të New York Times, më herët të njëjtën ditë, Robinson kishte bërë një shaka në një tjetër grup në Discord, duke thënë se një “binjak i tij po përpiqej t’ia prishte punët”, pasi autoritetet kishin publikuar fotot e të dyshuarit për vrasjen e Kirk.
Robinson po mbahet aktualisht në paraburgim dhe refuzon të bashkëpunojë me autoritetet, ndërkohë që provat ADN-je nga vendi i ngjarjes e lidhin direkt me krimin. Ai akuzohet për vrasje me paramendim, dhe hetimet po vazhdojnë për të zbuluar motivet e plota pas aktit që ka tronditur opinionin publik amerikan.