Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, foli sot në konferencën për mediat për ministren virtuale “Diella”.
Berisha tha se emërimi si ministre i një “personazhi” të krijuar nga inteligjenca artificiale është akt skandaloz.
Sipas tij krijimi i “Diellës” ka për qëllim shmangien e përgjegjësisë së qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama nga vjedhjet.
Sali Berisha: Personazhet e ricikluara të këtij pushteti janë një ogur i zi për Shqipërinë dhe shqiptarët. Por, para se të ndalem tek personazhet reale, do të ndalem tek Diella Rama, e cila përbën dhe aktin më skandaloz në historinë e një shteti.
Një president republike, për të dëshmuar që nuk ka Kushtetutë dhe as ligj, për të dëshmuar që është një skllav mjeran i akteve të tij të paligjshme, për të dëshmuar se është i nënshtruar totalisht, turpëroi Kushtetutën, turpëroi Kushtetutën duke dekretuar si ministri Diellën virtuale.
Dhe duke e dekretuar atë në një dekret me kryeministrin, në një akt të pashembullt. Fatmirësisht, pas momentit të parë, mediat ndërkombëtare filluan ta kuptojnë se Diella e Edi Ramës quhet ndryshe vjedhja e Edi Ramës.
Se prapa Diellës nuk ka asnjë qëllim tjetër, veçse largimi i çdo përgjegjësie përmes vjedhjes dhe vjedhja përmes Diellës. Edi Rama u diskreditua personalisht shumë me AKSHI-n, sepse AKSHI u faktua si një kopsht i familjes së tij.
Edi Rama është autor dhe bashkautor i dosjeve më të rënda korruptive të vendit, djegësave, aferës Al Alabar, tunelit të Llogarasë, aferave energjetike, etj. Tashmë Edi Rama gjeti zgjedhje, që përgjegjësia të mos ketë autor më.
Dhe për të mos pasur përgjegjësia autor, ai krijoi Diella Ramën. Nuk ka turp më të marrë sesa presidenti të dekretojë… Nuk ka fyerje më të madhe për sovranin sesa të ketë përfaqësues diçka që nuk ekziston, e përdorur vetëm për të vjedhur paratë e qytetarëve. Pra, për ta përmbledhur. Diella është anëtarja më e fundit dhe më e ngushtë e familjes Rama. Kjo është Diella e dekretuar nga Bajram Begaj.
“Diella” është ministrja e re virtuale e qeverisë së re.
Të premten 12 shtator presidenti Bajram Begaj dekretoi Edi Ramën si kryeministër të qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e 11 majit.
Në dekretin e firmosur nga Begaj, në nenin 2 shkruhet se Kryeministri ushtron dhe përgjegjësinë për ngritjen dhe funksionimin e ministrit te inteligjencës artificiale Diella.