Punonjës hoteli dhe trafikant droge, 24-vjeçari shqiptar kapet duke e shpërndarë me biçikletë! Kokaina e fshehur në çorape dhe “Airpods”

Një 24-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali si pjesë e një rrjeti të trafikut të drogës, ndërsa ishte i punësuar në një hotel në zonën e Riccione.

Aktiviteti kryhej në bregdetin e njohur të Miramares, ku karabinierët hasën të riun shqiptar teksa po qarkullonte me biçikletë dhe ishte duke folur në telefon. Sapo pa patrullën, ai mbylli video-thirrjen, duke ngjallur dyshime.

Teksa karabinierët bënin verifikimin, telefoni i tij binte pa pushim, kurse ai e shpërfilli. Në këto rrethana, efektivët shkuan të kontrollonin banesën e tij, ku brenda në kutinë e AirPods u gjetën tre doza kokaine dhe në portofol 880 euro në prerje të vogla, të dyshuara si të ardhura nga aktivitete të paligjshme.

Hetimi nuk u ndal me kaq. I shtrirë në dhomën e hotelit ku po qëndronte i riu, çoi në zbulimin e një qeseje të fshehur në perde. Brenda, një çorape e lidhur përmbante dy pako kokainë me një total prej mbi 200 gramësh, së bashku me një peshore elektronike, gërshërë dhe një rrotull me qese celofani gati për dozim, informon media italiane.

Të gjitha materialet, përfshirë drogën dhe paratë, u sekuestruan. 24-vjeçari u arrestua dhe u transferua në qelitë e paraburgimit, në pritje të një gjykimi të shpejtë në Gjykatën e Riminit. Gjyqtari vendosi dëbimin e tij nga rajoni pasi të përfundonin hetimet dhe procesi.