Zbardhen DËSHMITË e të arrestuarve për skemat piramidale online, mashtronin qytetarët me “fitime të sigurta”

Një operacion i gjerë i Policisë së Shtetit në Fier, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh ka çuar në zbardhjen e disa skemave mashtruese piramidale online, të cilat kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash duke mashtruar qindra qytetarë.

Sipas autoriteteve, skemat funksiononin përmes promovimit të platformave të rreme investimi, ku viktimave u premtoheshin fitime të shpejta dhe të garantuara.

Gjatë operacionit ranë në pranga gjashtë persona: Arbër Çela, Emanuel Taullau, Flavio Mukaj, Marius Kodra, Brunilda Todi dhe Brunilda Ndini. Policia njofton se këta shtetas vepronin si agjentë aktivë të platformave mashtruese, duke bindur qytetarët të investonin para që më pas përfundonin në duart e organizatorëve të skemës.

Hetimet vijojnë për identifikimin e të tjerëve të përfshirë dhe për gjurmimin e parave të përfituara në mënyrë të paligjshme.

Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat ka siguruar dëshmitë e agjentëve të arrestuar, të cilët mohojnë akuzat.

Ata deklarojnë se nuk kanë detyruar askënd të investojë në platformat e përfshira në hetime.

“Jemi njohur online dhe kemi vazhduar punën. Për të hyrë në skemë duhej të investohej minimalisht 1000 dollarë. Të parët që janë futur në këtë piramidë kanë mundur të përfitojnë fonde në kriptomonedha të cilat më pas i kanë konvertuar në Kosovë“, u shprehen të arrestuarit.

Për të vërtetuar mashtrimin, policia është infiltruar duke u futur në skemë dhe duke investuar para të cilat nuk u kthyen dhe shumëfishuan sipas premtimit.