Gati 5 miliardë euro ka mbledhur arka e shtetit në 8 muajit e këtij viti. Në shifrat e fundit të publikuara nga Ministria e Financave thuhet se të ardhurat u rritën me 7.3% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ose 340 milionë euro më shumë.
Rritja më e madhe e të ardhurave ka ardhur nga tatimi mbi pagat pasi u mblodhën në total 567 milionë euro, si dhe nga TVSH-ja, duke sinjalizuar rritje të konsumit në kulmin e sezonit turistik.
“Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, për periudhën Janar-Gusht 2025, janë në shumën 56.7 miliardë lekë, 11.8 miliardë lekë ose 26.3% më shumë se periudha Janar-Gusht2024, si dhe 4 miliardë lekë ose 7.6% më shumë se plani i periudhës Janar-Gusht 2025. Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto) u realizuan në shumën 45.8 miliardë lekë, 7.8 miliardë lekë ose 20.7% më shumë se periudha Janar-Gusht 2024”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.
Edhe të ardhurat nga tatimi mbi fitimin u rritën thotë Ministria e Financave me 1.4% krahasuar me vjet. Ndërsa sa i takon të ardhurave doganore, në total u mblodhën rreth 1.5 miliardë euro në rritje me 3.5% krahasuar me vjet.
Të ardhurat nga TVSH në import që lidhet direkt me volumin e mallrave të importuara por edhe me çmimet e tyre u mblodhën 1 miliardë euro, ose 13 milionë euro më shumë se vjet. Ndërsa nga akciza ku përfshihen produktet energjetike, pijet, duhani e karburanti u mblodhën 462 milionë euro, 42 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024.
Kurse shpenzimet në fund të gushtit arritën në 457.4 miliardë lekë (4.5 mld euro), edhe pse në rritje me 51.5 miliardë lekë (+515 mln euro) në raport me tetëmujorin e vitit 2024, përsëri janë më të ulta sesa të ardhurat. Ndikim në ecurinë e dobët të shpenzimeve kryesisht atyre kapitale që lidhen me investimet patën zgjedhjet e 11 majit, që kufizojnë shpenzimet, pasi konsiderohen në shkelje me kodin zgjedhor.
Për këtë arsye ky tetë mujor thotë Ministria e Financave është mbyllur me suficit në vlerën 41.2 miliardë lekë ose 412 milionë euro të ardhura më shumë se shpenzime.