Bardhi: Më gjeni një vend në botë ku kryeministri sulmon gjyqësorin për gjyqe që i humbet si palë, s’ka turp më të madh!

Kryetari i Grupit të Partisë Demokratike u shpreh kundër ndryshimit të Rregullores së Kuvendit me procedurë të përshpejtuar, teksa akuzoi qeverinë si të korruptuar dhe të përfshirë nga krimi.

Deputeti demokrat iu kthye edhe çështjes së gjyqësorit në fjalën e tij, duke nënvizuar se në asnjë vend tjetër të botës kryeministri sulmon gjyqësorin.

“Gjeni nje vend tjetër ku kryeministri sulmon gjyqësorin, për gjyqe që i humbet si palë. Ku ka turp më të madh”, tha ai mes të tjerash.

Bardhi foli edhe për çështjen e Komisioneve, sidomos për atë të Integrimit që iu hoq opozitës, ndërsa tha se kjo qeveri në vend që të bashkëpunojë me opozitën për integrimin, e sulmon atë.

“Sa te jeni ju ne qeveri e keni të pamundur të mbyllni një kapitull nga themeloret, sepse ju jeni qeverisja e krimit dhe korrupsionit”, tha Bardhi.

Ndërsa kryeparlamentari Niko Peleshi kaloi në votim kërkesat për shqyrtim dhe ndryshim të rregullores, Bardhi e rimori fjalën për procedurë më pas duke u shprehur kundër.

“E nisët me shkelje dhe e vazhduat me shkelje, ne jemi kundër”, tha ai.

Por mazhoranca me shumicën e votave i kaloi kërkesat me kartona.