Ekspertët paralajmërojnë se këtë sezon në Shqipëri pritet të qarkullojë gripi i tipit A dhe B, ashtu siç po ndodh aktualisht në Australi, e cila shërben si pikë reference për Europën.
Situata epidemiologjike është bërë më e ndërlikuar, pasi krahas virozave sezonale po qarkullon ende edhe COVID-19. Për t’u paraprirë rasteve të rënda, në vend janë siguruar 280 mijë doza të vaksinës kundër gripit.
“Vaksina është 4-valente, të mbron ndaj gripit A dhe B”, tha Rovena Daja nga ISHP, duke shtuar se vaksinimi do të nisë më 22 shtator.
Fillimisht do të vaksinohen grupet e riskuara, si mjekët, mësuesit dhe personat me sëmundje kronike.
Megjithatë, sipas ISHP, çdo qytetar që kërkon vaksinën do të mund ta marrë atë, pasi vitet e fundit është vënë re një interes i shtuar.
Ndërkohë, ndryshe nga vaksina kundër COVID-it, e cila nuk ka më kërkesë, ajo e gripit mbetet e preferuar nga qytetarët.