Personi në foto është turisti holandez i cili sot humbi jetën pasditen e sotme në Luginën e Valbonës.
Pas kësaj ngjarje tragjike janë zbardhur detaje të reja.
President i Federatës Shqiptare të Alpinizmit dhe Turizmit Malor, Artur Guni ka deklaruar se turisti ishte duke eksploruar zonën kur dyshohet se ka rrëshqitur dhe ka rënë në një terren të thepisur.
Sipas tij, prej orës 19:00 të së martës janë aktivizuar ekipet e këtkim shpëtimit në Qafën e Valbonës.
“Pavarësisht përpjekjeve të menjëhershme të ekipeve të shpëtimit nga Shqipëria dhe Kosova,nuk arritëm ta shpëtojmë jetën e tij.
Edhe pse vonë, po punohet në kushte tejet të vështira nga toka dhe ajri për nxjerrjen e trupit të pajetë nga humnera.
Menjëherë pas sinjalizimit për incidentin, në vendngjarje janë angazhuar strukturat e Urgjencës Kombëtare, forcat ajrore të ushtrisë, si dhe ekipet e specializuara të shpëtimit malor nga të dy anët e kufirit, të cilat kanë bashkëpunuar ngushtësisht në terren për të kryer kërkimin dhe ndërhyrjen.
Sipas informacioneve paraprake, viktima ishte duke eksploruar në mënyrë individuale kur dyshohet se ka rrëshqitur dhe ka rënë në një zonë shumë të vështirë për t’u aksesuar.
Hetimet mbi rrethanat e plota të ngjarjes janë në vijim.