Mbahen sot dy seanca plenare në Kuvend, votohet Byroja dhe kryesitë e komisioneve parlamentare, ja oraret

Kuvendi do të zhvillojë sot dy seanca plenare. E para do të nisë në orën 10:00, ku pritet që të diskutohet projektvendimi për zgjedhjen e zëvendës kryetarëve të Kuvendit, sekretariateve dhe përbërjes së Byrosës ë Kuvendit. Në seancën e dytë, që do të nisë në orën 17:00, do të diskutohet për zgjedhjen e kryesive të Komisioneve të përhershme të Kuvendit.

Një ditë më parë, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi mblodhi në një takim konsultues krerët e grupeve parlamentare të partive për strukturën e re dhe drejtimin e komisioneve. Maxhoranca do të ketë në drejtim 7 komisione, ndërsa opozita 4. Por PD kundërshtoi këtë strukturë të re, të njoftuar nga kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë së PS-së javën e kaluar, duke akuzuar se nuk ka pasur konsultime dhe se maxhoranca i ka hequr opozitës Komisionin e Integrimit, që është drejtuar historikisht nga opozita.

Këto ankesa, Gazment Bardhi i përcolli edhe drejt ambasadave të huaja në Tiranë. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së kërkoi ndërhyrjen e përfaqësive të huaja për të ndaluar sipas tij miratimin në mënyrë të njëanshme të ndryshimeve të propozuara nga mazhoranca.

Emrat e kryetarëve të rinj të komisioneve parlamentare nga mazhoranca:

Ulsi Manja – Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike

Bledi Çuçi – Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen

Igli Hasani – Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme

Milva Ekonomi – Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat

Anila Denaj – Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastruktura dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm

Blendi Klosi – Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural

Damiani Gjiknuri – Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore

Fatmir Xhafaj – Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale

Arbian Mazniku – Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrative-Territoriale

Ndërsa Partia Demokratike pritet të drejtojë katër komisionet e tjera, por ende nuk dihen emrat: Edukimi, Shkenca dhe Sporti; Shëndetësia dhe Mirëqenia Sociale; Të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik; Kultura, Turizmi dhe Diaspora.