Një projekt për devijimin e ujërave të Liqenit të Sopeve për furnizmin e një HEC-i ka ngritur sërish në këmbë banorët e Martaneshit, të cilët kërkojnë që uji të mos preket.
Banorët e njësisë administrative të Martaneshit në Bulqizë protestuan të dielën kundër punimeve për devijimin e ujërave të Liqenit të Sopeve, që po kryhen nga kompania “Teodori 2003”. Ata paralajmëruan se rreth 1,500 hektarë tokë bujqësore në katër fshatra të zonës rrezikojnë të mbeten pa ujë vaditës, ndërsa pa furnizim me ujë do të mbeten edhe disa HEC-e që shfrytëzojnë rrjedhën aktuale.
Protestuesit e krahasuan devijimin e ujit me këputjen e damarëve jetësorë të trupit.
“Këtu bëhet fjalë për një trup që i janë prerë damarët e gjakut. Pa ujë nuk ka jetë, nuk ka prodhim, nuk ka të ardhme,” tha Petrit Osmani, banor i zonës, duke shtuar se protestat do të vijojnë deri në ndalimin e projektit.
Një tjetër banor, Zybër Plloçi që ka punuar për dekada në pyje, e përshkroi situatën si katastrofike: “Uji është jeta. Ajo që po ndodh këtu e kalon çdo përmasë katastrofe. Qeveria e di shumë mirë këtë problem, por nuk ka marrë asnjë masë,” tha ai.
Projekti që ata kundërshtojnë parashikon ndërtimin e një tuneli nëntokësor për të devijuar ujërat e Liqenit të Sopeve drejt Liqenit të Zi të Valikardhës, për t’u shfrytëzuar nga HEC-i në pronësi të kompanisë “Teodori 2003”. Kompania nuk iu përgjigj një kërkesë për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.
Ky nuk është reagimi i parë i banorëve të Martaneshit kundër ndërhyrjes në Liqenin e Sopeve. Në vitin 2015 ata dolën sërish në protestë për të kundërshtuar devijimin e ujërave drejt Drinit të Zi. Edhe atëherë, argumenti kryesor ishte se liqeni përbën burim jetik për ujin e pijshëm dhe vaditës për katër fshatra të zonës, dhe se çdo ndryshim në rrjedhën natyrore do të sillte pasoja të rënda ekologjike e shoqërore.
Protestat e banorëve të zonave rurale për marrjen dhe shfrytëzimin e burimeve ujore, me të cilat ata kanë lidhur jetën, pa i dëgjuar vijon prej mbi dy dekadash. Protesta aktualisht ka në Kurdari po në Qarkun Dibër, në zonë e Mirditës, në Tragjas dhe në Kuç në Vlorë dhe zona të tjera.
Ndërkohë, në protestën e së dielës morën pjesë edhe përfaqësues të Lëvizjes BASHKË, mes tyre deputeti Redi Muçi dhe kryetari Arlind Qori. Ata shprehën mbështetje për kauzën e banorëve, duke e cilësuar projektin e devijimit të ujërave të liqenit si një “krim mjedisor” që rrezikon të lërë pa vaditje katër fshatra. Përfaqësuesit e Lëvizjes, si vunë në dukje se në një situatë të ngjashme ishin banorët në disa zonë të vendit u bënë thirrje qytetarëve që protestat të vijojnë deri në Tiranë, përpara kryeministrisë, në mënyrë që – siç thanë – “t’i jepet fund grabitjes së burimeve natyrore nga oligarkët me bekimin e qeverisë”.
Banorët ankohen se ngjashëm si në projekte të kësaj natyre nuk zbatohet legjislacioni. Muharrem Rova, i cili ngriti këtë shqetësim vuri në dukje se uji që i përket pellgut ujëmbledhës të lumit Mat, por transferohej në Drin. “Ka ligje kombëtare e ndërkombëtare për këto basene. Nuk mund të shkatërrohet një sistem i tërë natyror vetëm për interes privat”, tha Rova.
Banorë të tjerë paralajmëruan pasoja të pariparueshme mjedisore dhe sociale. “Nga fusha e luleve e kanë kthyer në fushën e greminave,” tha Dilaver Koxherri, duke u bërë thirrje autoriteteve qendrore dhe vendore të ndërhyjnë menjëherë./BIRN