presidenti amerikan Donald Trump ka mbërritur mbrëmjen e djeshme në Mbretërinë e Bashkuar për vizitën e tij të dytë shtetërore, duke deklaruar se “e do Britaninë” dhe se mezi pret të takohet me Mbretin Charles, të cilin e quajti “mik i kahershëm”.
Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump u pritën me nderime zyrtare në aeroportin Stansted, pak pas orës 21:00, ku u përshëndetën nga Ministrja e Jashtme britanike Yvette Cooper, Ambasadori amerikan në Londër Warren Stephens, dhe zyrtarë të tjerë. Në emër të Mbretit, ata u mirëpritën gjithashtu nga Viskonti Hood, përfaqësuesi zyrtar i oborrit mbretëror.
Çifti presidencial u transferua me helikopterin Marine One në Winfield House, rezidenca e ambasadorit amerikan në Regent’s Park, ku do të qëndrojnë gjatë vizitës.
Në një deklaratë të shkurtër pas mbërritjes, Trump u shpreh: “Kishim një fluturim të mirë, shumë njerëz udhëtuan me ne. Nesër (sot) do të jetë një ditë shumë e rëndësishme, zoti Ambasador.”
Ai gjithashtu përmendi lidhjet personale me Britaninë, duke thënë: “E dua Turnberry-n, e dua Aberdeenin, kam shumë gjëra këtu që më ngrohin zemrën. Është një vend shumë i veçantë.”
Në lidhje me Mbretin Charles, ai shtoi: “Ai ka qenë mik i imi për një kohë të gjatë, dhe të gjithë e respektojnë, e duan atë.”