Korrupsioni në burgun e Lushnjës/ Pezullohen nga detyra drejtori e nëndrejtori i IEVP, arrestohet dhe përjashtohet efektivi që mori paratë

Pas publikimit të një videoje mbrëmjen e djeshme, ku Shefi i Regjimit të Brendshëm në burgun e Lushnjës, Irakli Leka, shfaqet duke marrë para në këmbim të një leje shpërblyese për një të dënuar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka pezulluar nga detyra drejtorin dhe nëndrejtorin e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Lushnjë.

Po ashtu është përjashtuar nga radhët e Policisë së Burgjeve punonjësi i dyshuar për korrupsion.

Në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm dhe nën koordinimin e SPAK, u bë i mundur edhe arrestimi i punonjësit të dyshuar.

Njoftimi:

Në vijim të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku Shefi i Regjimit të Brendshëm në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Lushnjë, Irekli Leka, u filmua duke marrë një shumë parash në këmbim të një leje shpërblyese për një të dënuar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ndërmarrë menjëherë masa administrative dhe disiplinore.

Me Urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm është pezulluar nga detyra drejtori dhe nëndrejtori i institucionit si dhe është përjashtuar nga radhët e Policisë së Burgjeve punonjësi i dyshuar për korrupsion pasiv.

Pas publikimit të pamjeve filmike në emisionin investigativ “Stop”, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim të ngushtë me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm dhe nën koordinimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka bërë të mundur arrestimin e punonjësit të dyshuar brenda 30 minutash nga transmetimi i materialit filmik.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve falënderon median për angazhimin e saj në zbardhjen e rasteve të abuzimit me detyrën dhe thekson angazhimin e palëkundur për të garantuar integritetin, transparencën dhe zbatimin me përpikëri të ligjit në çdo hallkë të sistemit penitenciar.