Ish-prokurori Ervin Karanxha, teksa ka komentuar hapjen e garës për kreun e SPAK, ka deklaruar se ajo do të jetë më e lirë se 3 vite më parë.
Në një studio televizive Karanxha tha se mund të ketë rekomandime nga SHBA, por nuk do të ketë ndikime si më parë.
“Mendimi im është që rekomandime mund të ketë. Është strukturë që ka pasur gjithë kohë asistencën e SHBA-ve. Duke pasur parasysh ndryshimin e politikës së jashtme të SHBA, nuk do të jenë ndikime siç kanë qenë më parë, që erdhi ambasadori që bëri takim kokë më kokë me anëtarët e KLP-së. Mund të ketë një farë sugjerimi, rekomandimi, por jo ndërhyrje ndikuese. Do të jetë gara më e lirë. Dhe kandidatët vetë do të bëjnë lobime të ligjshme. Kandidatët do të bëjnë fushatë. Gara është e fortë. Prokurorët e SPAK kanë pasur çështje të rëndësishme. Kandidatët i plotësojnë kriteret”, tha ai.
Karanxha tha se dhe pas largimit të Dumanit institucioni do të vijojë punën.
“Çdo kërkesë që bëhet fizikisht, bëhet publike, emra që qarkullojnë. Të drejtën për të garuar e kanë të gjithë prokurorët e SPAK. Ka dhe prokurorë që nuk dua të bëhen në shef, se është më rrallë në gjyq dhe merren me problematika administrative”, vijoi Karanxha.