Ngjarja e rëndë e ndodhur pasditen e sotme në lagjen nr. 10 të qytetit të Korçës ka marrë përmasa shqetësuese, teksa tre vajzat e mitura që kanë konsumuar disa karamele që gjetën në afërsi të një koshi mbeturinash kanë përfunduar në spital.
Sipas informacioneve të reja, babai i fëmijëve, tre vajza të moshave 3, 7 dhe 10 vjeç, ka qenë ai që i ka gjetur ato në gjendje të keqe pranë zonës ku luanin, afër një kazani plehrash. Ai i ka transportuar menjëherë në spitalin rajonal të Korçës.
Burime nga spitali bëjnë me dije se vajza 10-vjeçare ndodhet në gjendje të stabilizuar, ndërsa dy vajzat më të vogla, 3 dhe 7 vjeç, janë shtruar në repartin e reanimacionit dhe po marrin trajtim në terapi intensive.
Pas deklarimeve të dhëna nga babai në prani të autoriteteve, policia ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Dyshohet se fëmijët kanë konsumuar karamele që mund të kenë qenë të kontaminuara ose të përmbajnë substanca të rrezikshme për shëndetin.