Ndihmoi të birin në vrasjen e Ilaria Sulës/ Ja me sa vite burg mund të dënohet nëna e Mark Samson

Prokuroria e Roëms ka kërkuar dënimin me dy vite burg për nënën e Mark Samson, vrasësit të shqiptares Ilaria Sula. Nors Manlapaz akuzohet se ka ndihmuar të birin në fshehjen e trupit dhe në pastrimin e gjurmëve nga krimi makabër, që shokoi opinionin pasi u zbulua në mars.

Seanca për këtë çështje është caktuar për 10 nëntor, ku gjyqtari do të vendosë për pranimin e marrëveshjes dhe dënimin e mundshëm me kusht. Ndërkohë, gjyqi i Mark Samson do të fillojë më 12 nëntor, ku ai akuzohet për vrasje të qëllimshme me paramendim, motive të kota, lidhje emocionale dhe fshehje të kufomës.

Hetuesit zbuluan mesazhe shqetësuese që tregojnë impulsin vrasës të të riut, i nxitur nga xhelozia dhe pamundësia për të pranuar fundin e marrëdhënies. Më 26 mars, në shtëpinë e tij në lagjen “Africano” të Romës, ai dyshohet se e rrahu fillimisht Ilarian dhe më pas e goditi tre herë në qafë me një thikë buke.

Pas krimit, Mark Samson dyshohet se transportoi trupin e viktimës në një shkëmb pranë “Capranica Prenestina”, ku dhe u gjet brenda një valixheje.

Pamjet e kamerave të makinës konfirmuan se ai udhëtoi vetëm, ndërsa gjyqtarja hetuese Antonella Minunni e përshkroi sjelljen e tij si “të qartë dhe të kontrolluar”, duke vënë në dukje ftohtësinë dhe kontrollin e sjelljes edhe pas aktit makabër.