Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump, janë larguar nga Chequers me helikopterin presidencial Marine One, duke përmbyllur vizitën shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar.
Vizita, e shoqëruar me momente bashkëpunimi por edhe mospajtime diplomatike, u mbyll me nënshkrimin e një “marrëveshjeje të re për prosperitetin teknologjik” mes dy vendeve.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur pak para largimit, Trump komentoi për krizën e emigracionit nëpërmjet kanaleve detare, duke sugjeruar se kryeministri britanik Keir Starmer mund të përfshijë ushtrinë për të trajtuar situatën me anijet e vogla – një deklaratë që ka shkaktuar debat në politikën britanike.
Trump gjithashtu foli për raportet me presidentin rus Vladimir Putin, duke deklaruar se “më zhgënjeu”, ndërsa Starmer konfirmoi përpjekjet e përbashkëta të SHBA-së dhe Britanisë për të ushtruar presion diplomatik mbi Putinin, me synim arritjen e një marrëveshjeje paqeje për Ukrainën.
Një pikë tjetër e ndjeshme e konferencës ishte çështja palestineze. Kur u pyet për planin e Starmer për të njohur një shtet palestinez, Trump u përgjigj se ka “një mosmarrëveshje me kryeministrin për këtë çështje”. Megjithatë, të dy udhëheqësit u shprehën të përmbajtur dhe nuk e thelluan më tej debatimin.
Pavarësisht tensioneve të lehta në fjalime, vizita u përmbyll me nota bashkëpunimi, me fokus në rritjen e lidhjeve teknologjike dhe ekonomike midis dy aleatëve të vjetër.