Avokati i njohur Genc Gjokutaj ka zbuluar në një emision televiziv, emrin më potencial që sipas tij pritet të zgjidhet në krye të SPAK, pas përfundimit të mandatit të drejtuesit aktual, Altin Dumani.
Sipas Gjokutajt më lart e kuotuar me pikë është prokurorja Anita Jella. Por, Gjokutaj pretendon se zgjedhja e kreut të SPAK është e ndikuar nga nepotizmi në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
“E gjithë KLP-ja janë lidhje nepotike. Ata tani të bëjnë transparencë sa të duan por ajo është transparencë në llojin e tyre. Jepet në televizor mo, kandidaturat janë aty, votat numërohen haptazi por porosia është dhënë, kanë nxjerrë në krye me pikë një që s’duhet të jetë. Përflitet një Jella, Jella. Atë po thonë. Unë nuk e di. Unë nuk jam fare kurioz se cili do jetë një nga këta sepse ata njësoj do të jenë. E para punës nuk janë emrat e prokurorëve ata që do bëjnë ndryshimin. Problemi është se ai institucion është i kapur”, tha Gjokutaj në “Ditari i Pasdites” me Pandi Gjatën.
Por kush është Anita Jella?
Prokurorja Anita Jella, pasi përfundoi Shkollën e Magjistraturës ka punuar si prokurore në Elbasan në vitet 2001-2003 dhe më pas si drejtuese e Prokurorisë së Librazhdit deri në vitin 2007.
Pas rikthimit për një vit në Prokurorinë e Elbasanit, Jella u emërua prokurore në Prokurorinë e Durrësit, ku e ushtroi funksionin për 10 vite derisa u bë pjesë e Prokurorisë së Posaçme.
Prej 9 majit 2018 deri në korrik të vitit të kaluar, ajo edhe drejtoi Prokurorinë e Durrësit. Më 31 korrik të 2024 ajo u emërua nga KLP prokurore në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, me një mandat 9-vjeçar.