Familja shqiptare futet në grevë urie para Parlamentit grek. Kërkojnë zhvarrimin e djalit

Babai i viktimës shqiptare në tragjedinë e Tempi-t nis grevë urie para Parlamentit grek, kërkon zhvarrimin e të birit

Athinë, 19 shtator 2025 – Prej pesë ditësh, para godinës qendrore të Parlamentit grek, Panajot (Pano) Ruçi, babai i 22-vjeçarit Denis Ruçi që humbi jetën në aksidentin hekurudhor të Tempi-t më 28 shkurt 2023, ka nisur një grevë urie.

Fillimisht ai ka refuzuar si ushqimin ashtu edhe ujin, ndërsa tani vazhdon me grevë urie, duke kërkuar që autoritetet të lejojnë zhvarrimin e trupit të të birit.

Kërkesat e tij janë: drejtësi për fëmijën e tij dhe leje për zhvarrosjen e trupit, kërkesë që deri më tani është refuzuar nga gjykata e Larisës.

Denis Ruçi ishte një nga 57 viktimat e tragjedisë më të rëndë hekurudhore në Greqi, e cila tronditi opinionin publik brenda dhe jashtë vendit.

Babai i tij deklaron se në arkivolin e të birit “ka elementë që nuk duan të bëhen publikë” dhe se nuk do të tërhiqet nga protesta derisa të marrë përgjigje nga autoritetet.

“Dua të vërtetën e nuk iki derisa të më dëgjojnë” thotë babai shqiptar që gjendet në grevë në Athinë për vdekjen e të birit.

Denis Ruçi, 22 vjeçar, ishte një ndër viktimat e tragjedisë në Tempi, ku më shkurt të 2023, përplasja e një treni i mori jetën 57 personave.

“Unë nuk dua asgjë, përveç të vërtetës për djalin tim. Nuk do të largohem derisa të më dëgjojnë.

Grevë urie dhe etjeje për Denisin, për të gjithë fëmijët, për drejtësinë dhe të vërtetën, që të mos humbasë më asnjë jetë për fitimet e tyre.

Nuk kam mundur të fle për dy vjet e gjysmë. I kam dhënë një premtim djalit tim: nuk do t’i fal ata që shkaktuan këtë tragjedi. Për shkak të tyre, të gjithë këta fëmijë u larguan nga jeta në mënyrë kaq të padrejtë”, -tha babai i 22 vjeçarit.

Ruçi ka zgjedhur të protestojë pranë monumentit të Demokracisë, përballë Parlamentit, ku ka ngritur një pankartë dhe thotë se kërkesa e tij është e thjeshtë: të marrë të drejtën ligjore për të bërë një ekshtëfim dhe varrim të denjë për të birin.

Protesta e tij ka tërhequr vëmendjen e kalimtarëve, qytetarëve dhe familjarëve të tjerë të viktimave, të cilët kanë shprehur mbështetje. Ende nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet greke për kërkesën e tij.

Tragjedia e Tempi-t, ku dy trena u përplasën me shpejtësi të lartë, u shkaktoi vdekjen dhjetëra udhëtarëve, kryesisht të rinj studentë. Hetimet për ngjarjen vijojnë ende, ndërsa shumë familje kërkojnë drejtësi dhe transparencë për shkaqet e vërteta të aksidentit dhe për përgjegjësitë shtetërore.

Dosja gjyqësore është voluminoze, me rreth 60 mijë faqe dhe përfshin 36 të pandehur persona jo-politikë, shumica me akuza për krime të rënda si shkelje të sigurisë së transportit dhe vrasje nga pakujdesia.

Procesi gjyqësor pritet të nisë në shkurt të vitit 2026. /noa.al