Qeveria ka njoftuar se brenda mandatit të katërt planifikon ta rikthejë transportin publik nga shërbim privat në shtetëror.
Në programin qeverisës të miratuar më 18 shtator parashikohet krijimi i shoqërisë shtetërore “MobAl”, si Agjenci Kombëtare për Transportin Publik. Fillimisht, kjo agjenci do të transportojë nxënës në shkolla dhe do të ofrojë shërbime në 7 itinerare turistike kombëtare.
Sipas programit, kjo nismë synon të ulë braktisjen e shkollës, të reduktojë pabarazitë territoriale dhe të mbështesë industrinë turistike me punonjës, falë një transporti të garantuar.
Gjithashtu, qeveria planifikon implementimin e sistemit të biletave elektronike për një shërbim më transparent dhe të besueshëm, si dhe zëvendësimin e flotës aktuale me rreth 100 autobusë elektrikë, me standarde të reja sigurie, efikasiteti dhe respekti për mjedisin.