E BUJSHME! Britania e Madhe njofton nesër njohjen e Palestinës, ja shtetet e tjera që do e pasojnë

Vendimi i Londrës pritet të shkaktojë tensione me aleatët e saj më të ngushtë, përfshirë Shtetet e Bashkuara

Një zhvillim i madh diplomatik pritet të ndodhë nesër, më 21 shtator, kur kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, do të njoftojë njohjen zyrtare të shtetit palestinez nga Mbretëria e Bashkuar.

Lajmi është raportuar nga prestigjiozja “The Times”, sipas së cilës vendimi i qeverisë britanike do të shoqërohet edhe me një dënim të ashpër ndaj operacionit tokësor të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës.

Ministrja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, e ka përshkruar ndërhyrjen ushtarake të Izraelit si “të pamatur dhe të papranueshme”, ndërsa Starmer pritet të deklarojë se kjo ofensivë nuk i lë Britanisë “asnjë alternativë tjetër” përveçse të ecë përpara me njohjen e Palestinës si shtet të pavarur, shkruan Reuters.

Vendimi i Londrës pritet të shkaktojë tensione me aleatët e saj më të ngushtë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Presidenti amerikan Donald Trump, ka paralajmëruar se një akt i tillë “do të shihej si shpërblim për mizoritë e Hamasit”.

Sipas burimeve diplomatike, Franca, Kanadaja dhe Australia janë gjithashtu në përgatitje për të njohur shtetin palestinez, duke sinjalizuar një ndryshim të rëndësishëm në qëndrimin ndërkombëtar ndaj konfliktit izraelito-palestinez.