Gripi, vaksinimi nis më herët/ ISHP: 280 mijë doza vaksine, nis shpërndarja e tyre

Në vend gripi nuk ka nisur ende të qarkullojë, por për tu mbrojtur prej tij vaksinimi këtë vit do të nisë më herët.

Instituti i Shëndetit Publik ka siguruar rreth 280 mijë doza vaksinë dhe po i shpërndanë në qendrat shëndetësore.

“Lidhur me qarkullimin e viruseve respiratore, janë rreth 9 mijë raste një numër i ulët, por ka filluar një trend i lehtë në rritje kështu parashikohet një rritje e lehtë nga javë në javë. Lidhur me gripin situata epidemiologjike paraqitet e qetë, sepse nga vitet e kaluara qarkullimi I gripit zakonisht fillon nga mesi fundi i muajit nëntor. Kanë ardhur 280 mijë doza vaksine për gripin dhe ka filluar shpërndarja e tyre dhe fushata nis më 22 shtator, pra më herët se të gjithë vitet e tjera”, tha epidemiologu Artan Simaku.

Të parët që do të vaksinohen janë punonjësit e shëndetësisë. Ndërkohë në qendrat shëndetësore mjekët po përgatisin një kalendar për të vijuar më pas me personat më të rrezikuar. Por nëse dikush dëshiron të vaksinohet në një qendër tjetër vendin dhe orën mund ti rezervojë online në platformën e-Albania.

“Vaksinimi nis me personelin shëndetësor, se duk mbrojtur veten nuk e përhap tek pacientet. Vijon me ata me sëmundje shoqëruese, çdo qendër ka hartuar planin e pacientëve, pra ata mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna, personeli mjekësor dhe banorët e qendrave të kujdesit afatgjatë, gjithashtu mësuesit, punonjësit e policisë dhe ushtrisë dhe fëmijët mbi 5 vjeç, janë grupet e përfshira në program”, tha ai.

Sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik vaksina është katër valente dhe mbron ndaj gripit të tipit A dhe B.

“Vaksina është katër valente, të mbron nga të katër shtamet qarkulluese, AH1, AH3 dhe dy shtamet e tipit B. Të gjitha shtamet qarkulluese të gripit janë të përfshira në vaksinë. Vaksinimi duhet të fillojë para sezonit të qarkullimit të gripit”, shtoi ai.

Referuar viteve të shkuara specialistët e Institutit të Shëndetit Publik parashikojnë qarkullim të gripit në muajin nëntor ndërsa thonë se vaksinimi mbron nga format e rënda të tij. Dozat kundër gripit mund të merren falas pranë qendrave shëndetësore.