Alarm shëndetësor/ Nga gripi tek COVID-19, ja çfarë duhet të dinë qytetarët sipas Dr. Shiroka

Mjekja e familjes, doktoresha Bruna Shiroka, e ftuar në studion e emisionit Health O’Clock, foli për Euronews Albania lidhur me viruset që aktualisht po prekin qytetarët dhe simptomat e ngjashme me COVID-19 që po shfaqen.

Ajo shpjegoi se “viruse qarkullojnë, por përveç këtyre virozave të stinës, janë shtuar rastet me COVID që ende qarkullojnë në popullatë, ku shumica janë me forma të lehta.”

Duke iu mbështetur përkufizimit të COVID-19, doktoresha theksoi:

“Nëse jeni me COVID mund të thuhet vetëm nëse bëni një test që e vërteton këtë. Kemi raste të konfirmuara, por edhe të dyshuara për COVID.”

Megjithatë, ajo vuri në dukje se “nuk është një shifër alarmante, por duhet marrë seriozisht, 80 % e pacientëve kanë simptoma të lehta, ndërsa pjesa tjetër paraqitet me simptoma më të rënda.”

Mjekja sqaroi gjithashtu se infektimet kanë përfshirë të gjitha grupmoshat, përfshirë edhe fëmijët.

“Shoqërizimi i fëmijëve në shkolla, i të rriturve ambiente me shumë njerëz si dhe në punë sjell rrezikun që një person i infektuar të përhapë tek të tjerë të cilët më pas e çojnë virusin në familje,” tha ajo, duke shtuar se “kjo ka ndodhur që nga fundi i korrikut, gjatë gushtit dhe fillimit të shtatorit.”

Në lidhje me masat parandaluese, doktoresha nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së distancës sociale, por shtoi se “popullata nuk po i kushton vëmendje, pasi simptomat janë më të lehta dhe pacientët thonë shpesh ‘kam një ftohje nga kondicioneri’, ndërkohë që janë të prekur me COVID dhe nuk marrin masa për t’u ruajtur.”