“NATO duhet të jetë gati që t’i rrëzojë”/ Avionët luftarakë rus shkelën hapësirën ajrore të Estonisë, reagon Gjermania

Gjendje e shtuar gatishmërie është shpallur në Berlin pas shkeljes së hapësirës ajrore të Estonisë nga tre avionë luftarakë rusë MiG-31, për një periudhë rreth 12 minuta, mbrëmjen e së premtes.

Lajmi është bërë i ditur nga “Deutsche Welle”, e cila raporton se ngjarja ka shkaktuar reagime të forta diplomatike dhe ushtarake brenda NATO-s.

Megjithëse Kremlini mohon incidentin, autoritetet estoneze kanë dorëzuar prova dhe harta zyrtare që konfirmojnë shkeljen e hapësirës ajrore.

Në këtë kuadër, qeveria e Estonisë ka kërkuar aktivizimin e nenit 4 të Traktatit të NATO-s, i cili parashikon mbledhjen e menjëhershme të aleatëve për konsultime në rast kërcënimesh ndaj një vendi anëtar. Ky diskutim pritet të zhvillohet më 1 Tetor, gjatë samitit të NATO-s që do të mbahet në Kopenhagen.

Gjermania, një prej vendeve kyçe të aleancës, ka paralajmëruar prej kohësh për rrezikun që paraqet kufiri lindor i NATO-s, duke e konsideruar si një nga zonat më të ndjeshme strategjikisht përballë Rusisë.

Për këtë arsye, ajo ka vendosur një brigadë me rreth 5.000 trupa në Lituani, ndërkohë që shumica e stërvitjeve të fundit të NATO-s dhe ushtrisë gjermane janë përqendruar pikërisht në rajonin e Balltikut.

“Nëse duhet, NATO të rrëzojë avionët rusë”

Pas deklaratave dënuese nga Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, figura të larta të partisë së Kristianodemokratëve (CDU), si Roderich Kiesewetter, kanë propozuar që patrullimet e NATO-s në Balltik të kalojnë në një fazë më të qartë mbrojtjeje aktive dhe parandalimi.

Ndërkohë, Jürgen Hardt, përfaqësues për politikën e jashtme i CDU-së në Bundestag, ka shkuar edhe më tej duke deklaruar se:

“Nëse do të jetë e nevojshme, NATO duhet të jetë e gatshme të rrëzojë avionë luftarakë rusë që shkelin hapësirat ajrore të vendeve anëtare.”

Sipas tij, Rusia po teston vazhdimisht reagimin e aleancës perëndimore, dhe mungesa e një përgjigjeje të qartë vetëm do të inkurajojë veprime edhe më provokuese.

Në një linjë të ngjashme, eksperti gjerman i mbrojtjes Carlo Masala, në një intervistë për rrjetin ARD, deklaroi se Moska po dërgon një mesazh të qartë: “Armiku është NATO dhe Rusia nuk ka frikë prej saj. Prandaj, NATO duhet të përforcojë fuqinë parandaluese.”

Edhe kreu i Partisë Popullore Evropiane (EPP) në Parlamentin Evropian, Manfred Weber, theksoi në një prononcim për mediat gjermane se:

“Tani më shumë se kurrë kemi nevojë për një mbrojtje ajrore të fuqishme kundër kërcënimeve nga Putin.”