Deklarata zyrtare, Trump: Përdorimi i Tylenol gjatë shtatzënisë, rrezik për autizëm

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, në një deklaratë zyrtare nga Zyra Ovale, ka shprehur shqetësime lidhur me ndikimin e disa barnave dhe vaksinave në shëndetin e fëmijëve, duke veçuar përdorimin e Tylenol (acetaminofen) gjatë shtatzënisë si një faktor të mundshëm rreziku për zhvillimin e autizmit.

I shoqëruar nga Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Robert F. Kennedy Jr., Presidenti Trump deklaroi se Departamenti i Shëndetësisë do të lëshojë udhëzime të reja për profesionistët e mjekësisë, duke i informuar ata mbi rreziqet e mundshme që lidhen me përdorimin e acetaminofenit gjatë shtatzënisë.

“Ka një lidhje të mundshme mes përdorimit të Tylenol nga gratë shtatzëna dhe rritjes së rasteve me autizëm tek fëmijët,” tha Presidenti Trump, duke theksuar nevojën për më shumë transparencë dhe kujdes në përshkrimin e medikamenteve për gratë shtatzëna.

Ai gjithashtu ngriti dyshime për efektet anësore të disa vaksinave dhe medikamenteve të tjera, duke përmendur komunitetin Amish si shembull. “Në komunitetin Amish nuk kemi raste autizmi,” u shpreh Trump, duke nënkuptuar një lidhje të mundshme mes stilit të jetesës dhe mungesës së diagnostikimeve të këtij çrregullimi.