Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar shpërndarjen e 280 mijë dozave të vaksinës kundër gripit në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit, ndërsa ka nisur zyrtarisht sezoni i virozave.
Drejtoresha e ISHP-së, Eugena Tomini, përmes një apeli publik, u bëri thirrje qytetarëve që të kryejnë vaksinimin sa më shpejt.
“Me fillimin e sezonit të vjeshtës shfaqen infeksionet respiratore. Personat obezë, efektivët e policisë, mësuesit, personeli shëndetësor, gratë shtatzëna dhe fëmijët mbi 6 muaj duhet të bëjnë vaksinën. Kryeni vaksinën në kohë që të jemi në një sezon sa më të mbrojtur dhe me sa më pak forma të rënda të gripit”, tha Tomini.
Për herë të parë, qytetarët mund të rezervojnë datën dhe orën për vaksinim përmes platformës e-Albania, si për veten ashtu edhe për fëmijët.
Ndërkohë, për pacientët kronikë që nuk mund të shkojnë në qendrat shëndetësore, mjekët dhe infermierët po ofrojnë vaksinimin në banesë, përmes shërbimit të kujdesit shëndetësor në shtëpi.