Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se dosjen e Antimafias Italiane të interceptuar nëpërmjet përgjimeve për takimin e zyrtarëve të lartë shqiptarë të qeverisë me kartelet e drogës në Aruba, do e ndjekë jo vetëm në Parlament, por edhe në SPAK dhe deri në Gjykatën Ndërkombëtare.
Edhe ditën e sotme, gjatë konferencës për gazetarët, kreu i selisë blu trajtoi atë që e quajti “Dosja Aruba”, ku u shpreh se i implikuar është direkt kryeministri Edi Rama.
Ndërsa i kërkoi dorëheqjen për këtë skandal, Berisha u shpreh se nuk do reshtin me veprimet e tyre opozitare për ta ndjekur këtë çështje deri në fund.
“Ju garantoj se veprimet tona do jenë të shumfishta dhe të shumëllojta për këtë takim që nuk e mohon dot kush. Tashmë është i stamposur në regjistrimet e Antimafias italiane”, iu përgjigj ai pyetjes nëse PD do dorëzonte kërkesë për debat në Parlament për çështjen Aruba.
Kurse në lidhje me veprimet e tjera, shpjegoi se do ndiqnin edhe rrugën e padive brenda dhe jashtë vendit.
“Antimafia ka bërë shërbim të madh, edhe gazetari që i publikoi. Nëse Rama nuk jep dorëheqjen do të jetë një padi në SPAK. Do shikohet nëse mund të bëhet padi edhe në Gjykatë Ndërkombëtare. Për ne ky takim është detyrim madhor para çdo shqiptari, rajonit dhe Evropës për transparencë të plotë. Shqipëria ka kryeministra dhe ministra që bëjnë udhëtime me çarter 13 mijë km për takim me bosët e drogës”, shpjegoi kryetari i PD-së.
Berisha i kërkoi dorëheqjen kryeministri Edi Rama, duke nënvizuar se Shqipëria nuk mund të ketë një kryetar qeverie që bën takime me kartelet e drogës të shpallura organizata terroriste dhe i një vendi që është anëtar i NATO-s dhe që aspiron për BE-në.
“Është krim të fshehësh këtë takim që inkriminon direkt kryeministrin e Shqipërisë, kryeministrin e një vendi anëtar të NATO-s, e një vendi që aspiron anëtarësimin në BE. Dërgon delegacion qeveritar për takime dhe dealer (marrëveshje) me kartele më të rrezikshme shqiptarë, se ato janë shpallur organizata terroriste. Dhe për të mbërritur te Mali i Tiranës, se e mbani mend se si shpifej dikur se ishte Sali Berisha, ja ku doli te Mali i Tiranës apo Syri i Tiranës. Ndaj jam këtu e i them jep dorëheqjen, jep dorëheqjen se s’mund të jesh kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s, kandidat të BE-së, që kërkon anëtarësim dhe bën takime me kartelet e drogës”, u shpreh ai.