Gazetari Osman Stafa ka bërë një denoncim të fortë mbrëmjen e sotme “Kjo Javë” në News24, duke folur për fakte shqetësuese mbi situatën në spitalin Onkologjik të QSUT-së.
Sipas Stafës, për më shumë se 3 vite ai ka kryer investigime të thelluara, duke mbledhur dokumente dhe dëshmi që tregojnë për vonesa sistematike në kryerjen e analizave të biopsive për pacientët me tumor.
Në disa raste, këto vonesa kanë rezultuar fatale, pasi pacientët nuk kanë marrë terapinë në kohë dhe kanë humbur jetën.
“Më janë dashur tre vite të kuptoj se çfarë ndodh në laboratorin e biopsisë. Shumë qytetarë më kanë shkruar për vonesa me muaj. Unë nuk mund të qëndroja vetëm me denoncimet e tyre, më duhej të gjeja dokumente zyrtare, dhe i kam gjetur,” u shpreh gazetari.
Stafa hodhi akuza ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, duke theksuar se institucioni është në dijeni të problematikave, pasi u janë dërguar shkresa zyrtare.
“Përgjegjësia kryesore është e Ministrisë. E dinë shumë mirë çfarë ndodh në atë laborator. Kanë shkuar shkresa dhe i kanë parë. Le të më padisin për shpifje nëse kam thënë ndonjë të pavërtetë. Jam gati ta pranoj burgun,” deklaroi gazetari.
Ai shtoi se brenda QSUT-së ka mjekë që denoncojnë situatën, ndërsa paralajmëroi se një pjesë e stafit mjekësor e përdor spitalin si “recepsion” për të dërguar pacientët në klinikat e tyre private.
“Nuk mund të tallesh kështu me njerëzit. Janë më të varfrit, më të pambrojturit. Nuk është vetëm vonesa e analizave. Janë mjekë që e shfrytëzojnë QSUT-në për të futur njerëz në klinikat e tyre. Biopsitë që bëhen këtu, shpesh delin ndryshe kur dërgohen jashtë shtetit,” u shpreh Stafa.
Gjithashtu ai zbuloi disa raste tronditëse të pacientëve që nuk kanë para për të paguar ilaccet dhe shërbimet në QSUT.
“Merrem me onkologjinë sepse janë pacientë që vuajnë nga kanceri. Janë sëmundje që edhe një ditë është vonë. Di një rast ku pacienti priste të shiste bagëti e gjëra të shkonte në onkologjik të blinte ilaçe, se i blenin te farmacitë aty rrotull. Dhe një rast tjetër që priste të bëheshë operim, priste 6 muaj me ju rrit viçi, që të merrte 800 mijë lekë e t’ia jepte doktorit”, tha Stafa.
Gazetari i bëri thirrje SPAK-ut që të marrë në shqyrtim këtë çështje dhe të nisë një hetim të plotë mbi atë që e cilësoi si një “dramë njerëzore në heshtje”.
Osman Stafa: Më janë dashur 3 vite të kuptoj ca ndodh në laboratorin e biopsisë. Më kanë shkruar shumë njerëz për vonesat e biopsisë disa muaj. Dhe thashe unë nuk mund të vazhdoj vetëm me denoncimet e tyre por më duhet të gjej dokumenta zyrtarë të personave apo dhe vetë mjekëve që kanë punuar aty.
SPAK-u të dëgjojë, të hetojë, këto janë publike. Jam i gatshëm të më padisin për shpifje nëse unë them një të pavërtetë dhe do ta pranoj me kënaqësi burgun.
Unë po dal me dokumenta, nuk po lexoj as mesazhet e njerëzve këtu. Përgjegjësia kryesore është ndaj ministrisë së Shëndetësisë. Sepse ministria e shëndetësisë e di çfarë ndodh në atë laborator i kanë shkuar shkresat.
E di sa mjek ke në QSUT që kanë klinikat e tyre private? E përdorin spitalin si recepsion për të çuar klientë në klinikat e tyre private. Njëri pas tjetrit. Nuk mund të tallesh kështu me njerëzit dhe ti vjedhësh në këtë lloj forme. Janë njerëzit më të këputur, më të varfër.
Po ka dhe mjekë brenda QSUT-së që denoncojnë këto raste me forcë.
A i kanë parë këto letra drejtorët e QSUT? Marrin biopsi këtu, i del si i del, pastaj shkojnë në Itali dhe biopsia i del tjetër për tjetër.
Merrem me onkologjinë sepse janë pacientë që vuajnë nga kanceri. Janë sëmundje që edhe një ditë është vonë. Pacienti priste të shiste bagëti e gjëra të shkonte në onkologjik të blinte ilaçe, se i blenin te farmacitë aty rrotull. Dhe një rast tjetër që priste të bëheshë operim, priste 6 muaj me ju rrit viçi, që të merrte 800 mijë lekë e t’ia jepte doktorit.