Trump rrit presionin, VanHorn në zyrën e Koçiut, ja mesazhi i fortë nga SHBA për zhdukjen e karteleve shqiptare

E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Nancy VanHorn, zhvilloi sot një takim zyrtar me Ministren e re të Punëve të Brendshme, Albana Koçiu.

Gjatë këtij takimi të parë mes dy zyrtareve, u theksua angazhimi i përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar dhe rrjeteve ndërkombëtare kriminale.

VanHorn ritheksoi përkushtimin e administratës amerikane për çmontimin e karteleve të drogës dhe grupeve kriminale që përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare.

Ajo nënvizoi se bashkëpunimi i ngushtë mes forcave të rendit të SHBA-së dhe Shqipërisë është thelbësor për identifikimin dhe goditjen e rrjeteve të paligjshme financiare, si dhe për ndalimin e trafikantëve dhe terroristëve që kërkojnë strehim të sigurt.

“Sot, e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn theksoi edhe një herë përkushtimin e qartë të Presidentit Trump në zhdukjen e karteleve dhe grupeve kriminale ndërkombëtare gjatë takimit të saj të parë me Ministren e re të Punëve të Brendshme Albana Koçiun. Duke punuar së bashku, forcat e rendit të Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë mund të çmontojnë rrjetet e paligjshme financiare dhe të mohojnë strehimin e sigurt për trafikantët e drogës dhe terroristët, duke i bërë të dy vendet tona më të sigurta”, njofton ambasada e SHBA.