Prokuroria e Fierit ka dërguar në gjyq 7 persona pas vrasjes së dyfishtë të dy vëllezërve në fshatin Kurjan të Roskovecit në shtator të 2024-ës.
Dy vëllezërit Kurtaj, Gramozi dhe Vladimiri, shtatorin e kaluar ikën nga kjo botë pasi u vranë njëherësh teksa pinin kafe në lokalin e tyre në Roskovec.
Ngjarja që tronditi zonën, një vit më pas po shkon në gjykatë sepse prokuroria e Fierit tha sot se e ka kopsitur dosjen dhe pret që autorët të marrin dënimin
Altin Kuka 49 vjeç, shihet si vrasësi i dy vëllezërve në Roskovec, bashkë me dy djemtë e tij Ervis dhe Emaurisio Kuka.
Altini akuzohet se qëlloi për vdekje me breshëri armë vëllezërit Gramoz dhe Lavdimir Kurtaj teksa ata pinin kafe në lokalin e tyre në fshatin Kurjan të Roskovecit, pas përplasjes që patën më herët djemtë e të dyja familjeve.
Krimi ka përfshirë disa persona. Nën akuzë për ngjarjen u vu dhe babai 76-vjeçar i autorit të dyshuar. Atij, pas një kontrolli në banesë iu gjetën 3 armë zjarri dhe municione pa leje.
Sakaq dhe një 75-vjeçar tjetër dyshohet se ka ndihmuar dhe përkrahur autorët e dyshuar.
Sot, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, deklaroi se përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit A.K., Er.K. dhe Em.K për veprën penale ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ parashikuar nga neni 79, gërma ‘dh’ e Kodit Penal si dhe katër persona të tjerë për përkrahje të autorit të krimit e moskallëzim të krimit.
Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.1375 të vitit 2024, u provua se të pandehurit A.K., Er.K., Em.K., në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kanë kryer vrasjen e shtetasve G.K. e L.K.
Pak para se të ndodhte ngjarja, i pandehuri Er.K. ka patur një konflikt fizik me djemtë e viktimës G.K., si dhe ka qëlluar me pistoletë kundrejt tyre dhe viktimës G.K. Pas komunikimit telefonik dy të pandehurit Em.K. dhe Er.K. janë takuar dhe ky i fundit i ka treguar ngjarjen.
Armën e zjarrit, automatik luftarak i modelit 56, me të cilën i pandehuri A.K. ka qëlluar viktimat G.K. dhe L.K., i pandehuri Er.K. i ka lënë në kasollen përbri pularisë me qëllim për t’i marrë në vijim i pandehuri Em.K. Ky i fundit, pasi ka marrë armën e zjarrit, automatik luftarak, ka shkuar në vendin ku ndodheshin viktimat, ka frenuar menjëherë para lokalit të tyre, ka marrë armën dhe ka mbushur karikatorin e saj, duke nxitur të pandehurin A.K. të qëllojë me breshëri drejt tyre. I pandehuri A.K. ka shtënë ndaj viktimave G.K. dhe L.K. me armën e zjarrit automatik luftarak, të cilën ia mori nga dora të pandehurit Em.K.
Gjithashtu, për të njëjtën ngjarje, Prokuroria ka marrë të pandehur dhe ka kërkuar dërgimin e çështjes në gjyq të të pandehurve: T.Z., akuzuar për kryerjen e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit” parashikuar nga neni 302/2 i K.Penal; Y.K..akuzuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, parashikuar nga nenet 278, prg. 3 e 4, dhe 280, të Kodit Penal; R.H. akuzuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i K.Penal; dhe E.H. akuzuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i K.Penal.
‘I vrava të dy, po shkoj të dorëzohem’! Çfarë i tha autori bashkëshortes pasi vrau…