Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq ish-drejtoreshën e Kadastrës, Elira Gogo e cila akuzohet se favorizoi ndërtimet jashtë lejeve duke i shkaktuar miliona lekë dëm shtetit nga shmangia e taksave
Ndaj ish-drejtoreshës së Kadastrës në Tiranë janë ngritur akuzuat për ‘Falsifikim të dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorim detyre’, si dhe shtetasin me iniciale Sh.B. i akuzuar për ‘Ndërtim të paligjshëm’ dhe ‘Mashtrim’.
Sipas organit të akuzës, në rrugën e ‘Bogdanëve’ ka pasur ndërtime me ndryshim destinacioni në kundërshtim me lejen e dhënë.
Prokuroria argumenton se sipërfaqja e ndërtuar jashtë lejes e përcaktuar nga akt-ekspertimi teknik është 2240 m².
Për këtë sipërfaqe, taksa e ndikimit në infrastrukturë është llogaritur në shumën 24.998.400 lekë, shumë më e lartë se ajo e paguar në bazë të dokumenteve të falsifikuara.
“Rezultoi e provuar se nga ana e shtetases Elira Gogo, janë konsumuar elementet e veprës penale të “falsifikim i vulave, stampave ose formulareve” parashikuar nga neni 190/3 i Kodit Penal, pasi pa bërë matje në teren ka urdhëruar pagesën e taskës e infrastrukturës dhe sipas saj, sipërfaqja totale e objektit shtesë që do të legalizohej është 80.5 m2. Kur nga akti i ekspertimit sipërfaqja e ndërtimit jashtë lejes së ndërtimit, është 2240m2. Si dhe është konsumuar vepra penale ‘Shpërdorim detyre’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”, informon organi i akuzës.
Ndërkohë shtetasi me iniciale Sh.B. ka konsumuar elemente të veprës penale “Ndërtim i paligjshëm” në kushtet e shkeljes së lejes së ndërtimit për qëllim fitimi.
Njoftimi i Prokurorisë Tiranë:
Favorizoi ndërtimet jashtë lejeve duke i shkaktuar miliona lekë dëm shtetit nga shmangia e taksave, Prokuroria Tiranë dërgon në gjyq ish-drejtoreshën e ASHK
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasen E.G., ish-drejtoreshën e Agjencisë Shtetërore e Kadastrës (ASHK) Tiranë, e akuzuar për ‘Falsifikim të dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorim detyre’, parashikuar nga nenet 190/3 dhe 248 të Kodit Penal si dhe shtetasin Sh.B. i akuzuar për ‘Ndërtim të paligjshëm’ dhe ‘Mashtrim’ parashikuar nga nenet 119/a/2 dhe 143/3 të Kodit Penal
Në kuadër të procedimit penal nr. 8699, regjistruar në bazë të denoncimeve të bëra, hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë vërtetuan se në rrugën e ‘Bogdanëve’ ka pasur ndërtime me ndryshim destinacioni në kundërshtim me lejen e dhënë. Sipërfaqja e ndërtuar jashtë lejes e përcaktuar nga akt-ekspertimi teknik është 2240 m². Për këtë sipërfaqe, taksa e ndikimit në infrastrukturë është llogaritur në shumën 24.998.400 lekë, shumë më e lartë se ajo e paguar në bazë të dokumenteve të falsifikuara.
Nga hetimet rezultoi se veprimet e shtetases E. G., në cilësinë e Drejtoreshës së ASHK-së Tiranë Veri, janë përpiluar dhe nënshkruar dokumente pa kryer matje në terren, duke u raportuar sipërfaqe shumë më të vogla nga ato reale. Këto veprime kanë sjellë përfitim të padrejtë për subjektin ndërtues dhe dëm të interesit publik.
Nga sa më sipër, rezultoi e provuar se nga ana e shtetases E. G. janë konsumuar elementet e veprës penale të “falsifikim i vulave, stampave ose formulareve” parashikuar nga neni 190/3 i Kodit Penal, pasi pa bërë matje në teren ka urdhëruar pagesën e taskës e infrastrukturës dhe sipas saj, sipërfaqja totale e objektit shtesë që do të legalizohej është 80.5 m2. Kur nga akti i ekspertimit sipërfaqja e ndërtimit jashtë lejes së ndërtimit, është 2240m2. Si dhe është konsumuar vepra penale ‘Shpërdorim detyre’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Ndërkohë shtetasi Sh.B. ka konsumuar elemente të veprës penale “Ndërtim i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/3 në kushtet e shkeljes së lejes së ndërtimit për qëllim fitimi.