Biznesmeni italian nga Varese, Edoardo Sarchi, është vrarë në Shqipëri ndërsa ndodhej për gjah me një partner.
Në një analizë të bërë nga media italiane Corriere della Sera, nuk ka dyshime që ai është vrarë, por mënyra mbetet ende një mister. Hetuesit po shqyrtojnë disa pista, një të shtënë aksidentale gjatë gjahut, një konflikt që ka përfunduar në dhunë, ku viktima mund të jetë goditur me hekur ose gur, apo madje edhe një ekzekutim i mirëfilltë, një makinë që ndalet, një person
Ngjarja ndodhi mesnatën mes së premtes dhe së shtunës në fshatin Salari, një zonë e thyer malore rreth 200 kilometra larg Tiranës. Viktima është Edoardo Sarchi, 44 vjeç, sipërmarrës i njohur në fushën e ndërtimit, i martuar dhe me aktivitet në Shqipëri.
Aktualisht, policia shqiptare ka marrë në pyetje të paktën katër persona, mes tyre një baba dhe dy djemtë e tij, të cilët ndodheshin së bashku me Sarchin për gjah pranë lumit Vjosë. Ambasada italiane nëpërmjet konsullatës në Vlorë po ndjek nga afër rastin dhe është në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e viktimës, përfshirë motrën e tij Margherita dhe kushërinjtë Antonio e Leonardo, të dy ndërtues dhe drejtues të kompanisë Tegola Edilcentro në Tiranë, ku vetë Edoardo ishte administrator i deleguar.
Sipas mediave lokale, Sarchi, një pasionant i gjahut, kishte darkuar në shtëpinë e familjes Braçe, me të cilët ishte partner në biznes. Pas darkës, grupi doli për gjah, Sarchi me një Volkswagen, ndërsa Braçët me një Land Rover Defender. Vrasja ndodhi në një rrugë të ngushtë malore mbi një luginë.
Skena e krimit mbetet e paqartë. Gomat e Land Rover-it ishin të shfryra, por nuk dihet nëse ishin qëlluar me armë. Gjurmë të shumta gjaku u gjetën mbi asfalt dhe mbi karroceri, por jo brenda makinave. Hetuesit dyshojnë se Sarchi është nxjerrë nga automjeti i tij dhe më pas është qëlluar, goditur me thikë apo gur. Trupi u gjet nga një person që dha alarmin, sipas njoftimit zyrtar të policisë.
Familja Braçe, e njohur nga autoritetet për ngjarje të tjera të dhunshme dhe bashkëpronare e kompanisë Edilcentro, ka dhënë dëshmi kontradiktore. Një version thotë se grupi u sulmua papritur nga persona të armatosur, një tjetër se italiani u gjet i pajetë në rrugë, ndërsa një dëshmi tjetër pretendon se Sarchi ndërroi jetë në duart e tyre. Një pistë e fortë për hetuesit është edhe një konflikt për çështje biznesi.
Lidhja e Sarchit me Shqipërinë është e hershme. Xhaxhai i tij, Augusto Nidoli, themeloi kompaninë Edilcentro që sot drejtohet nga kushëriri Antonio, ndërsa kompania “Tegola” bën pjesë në të njëjtën grup sipërmarrjesh të ngritura 30 vjet më parë. Babai i Edoardos, Vittorio, i ndarë nga jeta në vitin 2022 në moshën 81-vjeçare, ishte një figurë e njohur politike në Varese, duke shërbyer edhe si këshilltar për Sigurinë në komunën e Luinos.
“Jam i tronditur dhe i pikëlluar” tha kushëriri i viktimës, Riccardo Barbieri, pronar i B&B-së “Villa Sarchi”.
“Edoardo ishte një njeri i ndershëm, i apasionuar pas punës së tij. E takova për herë të fundit në funeralin e babait të tij, kur më foli me entuziazëm për projektet që kishte në Shqipëri”, shtoi Barbieri.