Shqiptarët paguajnë më shumë para për sigurime, ja si ndryshojnë çmimet vitin tjetër

Megjithëse me një ritëm të ngadaltë ose me luhatje të herëpashershme, nga viti në vit po kultivohet një kulturë më e madhe sigurimi te shqiptarët. Kjo vërehet në rritjen e volumit të arkëtimeve nga kompanitë e sigurimit dhe numri i kontratave të lidhura.

Nga statistikat zyrtare rezulton se janë shtuar shqiptarët që derdhin para për sigurime. Të dhënat më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit kapën vlerën e thuajse 18 miliardë lekëve, rreth 9.5% më shumë se në tetëmujorin e 2024.

Nëse i referohemi numrit të kontratave, në janar-gusht do të nënshkruheshin 18.7% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit pararendës. Konkretisht, në janar-gusht 2024 numëroheshin mbi 97 mijë kontrata, ndërsa në 2025 arriti në 112 mijë.

Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 91.57% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 8.40% dhe risigurimi me një përqindje të papërfillshme. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 38.16% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 61.84% të totalit të tregut.

Sigurimi i jo-jetës vazhdon të dominojë për arsye të volumit të madh të primeve që sjell sigurimi i automjeteve.

Nga 1 janari i këtij viti nisi zbatimi i skemës së re të sigurimit të automjeteve, bonus-malus, që përcakton një përllogaritje të re të primit të sigurimit mbi bazën e faktorëve të riskut. Rregullorja e re parashikon një rritje të çmimit të primit të sigurimit për individët që janë të rinj në moshë, që kanë pak eksperiencë në drejtimin e një automjeti me fuqi të madhe motorike të regjistruar në qarkun e Tiranës, që do të kenë historik aksidentesh, ndërsa për ata që nuk do të kryejnë aksidente ka një ulje të çmimit të primit të sigurimit.

Duke qenë se historiku i aksidenteve përpara këtij viti është fshirë dhe 2025 konsiderohet me zero aksidente të mëparshme për drejtuesit e automjeteve, 2026 do të jetë viti që do sjellë ndryshime të rëndësishme në tregun e sigurimeve, për shkak se atëherë do të vendosen çmimet e reja të sigurimit.