Vrasja e biznesmenit italian Edoardo Sarchi, ekspertët dhe Policia rikthehen në vendngjarje, eksperiment dhe për qitjen fatale

Policia e Gjirokastrës rikthehet në vendin ku u vra biznesmeni italian Edoardo Sarchi, dinamika dhe motivet e të cilës mbeten ende të panjohura, edhe pse Policia thotë se ka shpallur në kërkim një person të dyshuar nga Vlora.

Efektivët dhe grupi i ekspertëve po kryejnë kontrolle në zonë për gjurmë dhe të dhëna biologjike, si dhe po kryejnë eksperimente hetimore në lidhje me ngjarjen, për të shpjeguar se si ka ndodhur qitja fatale, pozicioni i sulmit dhe rrethana të tjera me interes hetimor.

Sipas burimeve, policia u rikthye në vendngjarje për të gjetur gëzhojën. Dyshohet se biznesmeni italian u qëllua nga një person i tretë.

Ngjarja ndodhi pas mesnatës së të premtes, në një zonë të quajtur “Dilan”, midis fshatrave Nivicë dhe Salari. Trupi i pajetë i Edoardo Sarchit u gjet me një plumb në kokë, ndërsa ai thuhej se ndodhej për gjah së bashku me katër persona të tjerë.

Mes tyre ishte ortaku i tij në biznes, Eqrem Braçi, si dhe dy djemtë e këtij të fundit, Gazmenti dhe Danieli.

Të tre u shoqëruan nga policia për të dhënë dëshmitë por u liruan disa orë më vonë. Burime jozyrtare bënë me dije se mungesa e provave çoi në vendimin për lirimin e tyre.

Italiani 44-vjeçar, ishte administrator në një kompani të madhe tullash italo-shqiptare “Tegola Edilcentro” në zonën e Laprakës në Tiranë.