Putin firmos urdhrin e rekrutimit, 135 mijë të rinj thirren në ushtrinë ruse këtë vjeshtë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka nënshkruar të hënën një dekret për nisjen e fushatës së rekrutimit të vjeshtës, e cila synon të thërrasë rreth 135 mijë burra të moshës 18 deri në 30 vjeç për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Sipas dekretit, rekrutët duhet të paraqiten nga data 1 tetor deri më 31 dhjetor dhe do të shërbejnë për një periudhë njëvjeçare. Rusi zhvillon dy fushata rekrutimi në vit: një në pranverë dhe një në vjeshtë.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt 2022, autoritetet ruse kanë deklaruar se rekrutët nuk dërgohen në front, por kryejnë vetëm detyra mbështetëse brenda territorit të Rusisë. Megjithatë, ka pasur raportime të përsëritura për dërgimin e tyre në zonat e luftës.
Fushata pranverore e këtij viti kishte për qëllim të rekrutonte 160 mijë ushtarë, ndërsa ajo e vjeshtës 133 mijë (sipas shifrave zyrtare të mëparshme).

Këta rekrutë nuk duhet të ngatërrohen me mbi 300 mijë rezervistë që u mobilizuan dhe u dërguan në luftë që nga vjeshta e vitit 2022, këta të fundit kishin përfunduar më parë shërbimin ushtarak.

Rekrutët dhe lufta në Ukrainë – çështje e ndjeshme për rusët

Dërgimi i të rinjve në luftë ka qenë gjithmonë një temë e ndjeshme në Rusi, sidomos pas luftës së parë në Çeçeni (1994–1996), ku shumë rekrutë u plagosën apo u vranë, duke shkaktuar reagime të forta në opinionin publik.

Pavarësisht deklaratave zyrtare, në gusht 2024 Ukraina raportoi se kishte kapur disa rekrutë rusë gjatë një sulmi të befasishëm në rajonin e Kurskut, në kufi me Ukrainën.

Në vitin 2023, Rusia ndryshoi ligjin e rekrutimit, duke rritur kufirin maksimal të moshës nga 27 në 30 vjeç, për të zgjeruar bazën e mundshme të personave që mund të thirren në ushtri.