Investigimi i tregut/ ASKO, Volvo, Candy… tingëllojnë evropiane, por kush i kontrollon sot?

Ajo që duket si lavatriçe suedeze, furrë italiane apo makinë britanike… shpesh është thjesht një fasadë. Pas logos, historisë dhe reklamave me flamuj evropianë, qëndron një realitet tjetër: pushtimi kinez i markave premium dhe shitja për djathë e produkteve jocilësore klientit shqiptarë. Një investigim i thjeshtë i ca kompanive në treg ta kuptosh shumë thjeshtë diçka të tillë.

ASKO, kinezët që e shesin veten si skandinavë

Merrni shembullin e ASKO-s. Për dekada është shitur si një simbol suedez i cilësisë dhe dizajnit nordik. Por sot, ASKO nuk ka më asgjë “suedeze” përveç logos. Marka është pjesë e grupit Gorenje, i cili që prej vitit 2018 është blerë nga gjigandi Hisense (Kinë). Prodhimi? I zhvendosur nga Suedia, drejt fabrikave më të lira në Slloveni. Logoja mbeti, por malli lë shumë për të dëshiruar…

Candy, nga Italia në Kinë tek Haier

Një tjetër shembull është Candy, krenaria italiane për elektroshtepiake. Në 2019 u ble nga Haier (Kinë). Sot, nën logon italiane fshihet strategjia kineze: fabrika historike në Brugherio po mbyllet, ndërsa prodhimi dhe vendimet kalojnë përtej Adriatikut.

Volvo & Lotus – makina që e shesin veten si Europiane, por prodhohen në Kinë

Nuk mund të mbeteshin mbrapa këtij trendi as kompanitë e prodhimit të makinave.

Volvo ishte dikur krenaria suedeze e sigurisë. Që nga 2010 është në pronësi të Geely (Kinë). Dizajni mbetet në Göteborg, por kapitali dhe fuqia vendimmarrëse janë në Pekin. Prandaj dhe në vitet e fundit ka pasur ankesa në lidhje me cilësinë e këtyre automjeteve. Publiku nuk e di realitetit, pasi ecin vetëm me traditën.

Lotus ishte marka britanike e makinave sportive që i dha botës emocione garash. Të paharrueshme dhe garat në Formula 1. Shkëlqimi i së kaluarës mbetet larg, pasi sot është pjesë e të njëjtit grup kinez, Geely. Identiteti britanik shitet ende me krenari, por pronësia i përket dikujt tjetër. Tendenca e firmave së fundmi ka qenë Lindja.

Marka të tjera që janë shitur në tregun kinez janë dhe:

MG – ish-markë britanike, sot 100% nën SAIC (Kinë).

Smart – dikur vetëm Mercedes, sot një joint-venture mes Mercedes dhe Geely.

Në industrinë e modës po ndodh e njëjta gjë. Kina ka blerë disa marka të njohura me histori evropiane, duke i përdorur si trampolinë për të hyrë në tregjet e luksit. Për konsumatorin, gjithçka duket si më parë por prapaskena është totalisht ndryshe.

Cerruti 1881 – nga Italia ne Kine

E themeluar në Itali si një ikonë e stilit klasik, Cerruti 1881 sot nuk është më italiane. Marka është në pronësi të kompanisë kineze Biem.L.Fdlkk Garment, e cila zotëron të drejtat globale të tregtisë. Kostumet shiten ende me etiketën italiane, por kapitali është lindor.

Lanvin – nga Parisi tek Fosun

Lanvin, një nga shtëpitë më të vjetra të modës franceze, sot është nën kontrollin e konglomeratit kinez Fosun International, përmes Lanvin Group. Jo vetëm Lanvin, por edhe marka të tjera prestigjioze si Sergio Rossi, Wolford, St. John Knits dhe Caruso janë pjesë e këtij grupi. Eleganca franceze dhe italiane vazhdon të reklamohet, por pronësia është zhvendosur në Shanghai.

Çfarë po ndodh në të vërtetë?

Kompani kineze blejnë marka me histori për të marrë prestigjin, tregjet dhe teknologjinë evropiane. Për konsumatorin, iluzioni vazhdon: reklama me kështjella suedeze, rrugë italiane dhe gara britanike. Por në realitet: vendimmarrja bëhet në zyrat e grupeve kineze, fabrikat evropiane mbyllen ose zhvendosen për kosto më të ulëta dhe dhe produktet “premium” shpesh dalin nga të njëjtat linja prodhimi masive. Pra, nuk ka asnjë diferencë me masivitetin, as në cilësi as në mënyrën e punimit.

Në kushte të një tregu të tillë janë disa të vërteta që duhet të dini si konsumatorë, për të qenë i drejtë deri në fund. Ky pushtim nuk është gjithmonë i keq. Disa marka janë shpëtuar nga falimentimi dhe kanë marrë frymë të re falë kapitalit kinez. Por është e rëndësishme të kuptojmë se ajo që blejmë nuk është gjithmonë ajo që mendojmë.

Klientët shqiptarë duhet të jemi të zgjuar që të: Mos mashtrohen nga logoja. Emri “evropian” nuk do të thotë më pronësi apo prodhim evropian. Kujdes me garancinë. Ndryshimi i pronësisë shpesh prek pjesët e këmbimit dhe servisin. Mos i besoni verbërisht çmimit. Një produkt i shtrenjtë nuk garanton më cilësinë që dikur lidhej me atë markë. Informohuni. Vetëm duke njohur të vërtetën, konsumatori fiton fuqinë për të zgjedhur me ndërgjegje.

Si përfundim, mund të themi se logoja mbeti. Reklama mbeti. Historia u ruajt në broshura. Por zemra e shumë markave evropiane tashmë rreh në Kinë. Kur të blini herën tjetër një pajisje ose makinë “evropiane”, pyesni veten: Po blej traditën dhe cilësinë që më tregojnë… apo iluzionin që duan të më shesin?