Ibiza, destinacioni ndërkombëtar për festa dhe klube, një nga vendet më atraktive për turistët në botë, është goditur nga rrebeshi më i keq në 70 vjet.
Në më pak se 24 orë, ishulli mori deri në 254 litra ujë për metër katror, sipas agjencisë meteorologjike spanjolle (AEMET), duke regjistruar periudhën më të lagësht 24-orëshe që nga viti 1952.
Stuhia “Gabrielle” solli sasi të mëdha lagështie nga Mesdheu dhe e bllokoi atë mbi Ishujt Balearik, duke bërë që rrugët të shndërrohen në lumenj dhe infrastruktura të shembet.
Imazhet që kanë qarkulluar në të gjithë botën tregojnë makina të zhytura deri në dritare, turistë që braktisin me nxitim autostradën kryesore për të kapur fluturimet e tyre në këmbë dhe hotele luksoze që mbushen me ujë.
Në Pacha-n historike, pranë marinës, një pjesë e çatisë u shemb, me stafin që përpiqej me dëshpërim të përmbante rrjedhjet, ndërsa Aeroporti i Ibizës përjetoi probleme serioze me ujin e shiut që rridhte nga çatia.
Autoritetet u detyruan ta rrisnin alarmin nga portokalli në të kuq, ndërsa u aktivizua plani special i përmbytjeve i INUNBAL. Ushtarë, policë dhe zjarrfikës mbërritën nga Majorka dhe Valencia, së bashku me helikopterë dhe njësi speciale për fatkeqësi.
Brenda 24 orëve, Guardia Civil shpëtoi 148 persona që ishin bllokuar në shtëpi dhe automjete. Përveç vëllimit të shiut, mediat spanjolle theksojnë edhe pamjaftueshmërinë e infrastrukturës.
Sistemet e kullimit nuk ishin në gjendje t’i përballonin vëllimit të madh të ujit, duke rezultuar në përmbytje të rrugëve dhe bodrumeve brenda pak minutash. Vetë UME (Unidad Militar de Emergencias) theksoi se intensiteti i shiut i kombinuar me pamundësinë për të kulluar ujin e përkeqësoi shkatërrimin.