Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar një skandal të rëndë në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, lidhur me furnizimin e barnave antitumorale. Sipas raportit përfundimtar të auditimit, institucioni përgjegjës për financimin dhe kontrollin e barnave nuk ka zbatuar penalitetet e parashikuara në kontratat me importuesit farmaceutikë, duke toleruar shkelje të përsëritura situatë që ka lënë pacientët onkologjikë pa trajtim.
Auditimi i KLSH ka evidentuar se gjatë periudhës 2021–2024 janë regjistruar 49 raste vonesash në furnizimin me barna jetike për trajtimin e kancerit. Megjithatë, Drejtoria e Kontrollit pranë Fondit te Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka marrë masa vetëm në 2 raste, ndërsa 47 rastet e tjera nuk janë ndëshkuar.
Sipas kontratave trepalëshe midis Fondit të sigurimeve, QSUT dhe importuesve, çdo vonesë në furnizim duhej të shoqërohej me penalitete financiare. KLSH llogarit se vlera totale e gjobave që nuk u aplikuan arrin në 49 milionë lekë.
Për më tepër, kontratat parashikonin që në rast përsëritjeje të shkeljes, importuesit që nuk plotësonin furnizimin në kohë të përjashtoheshin nga lista e rimbursimit, masë që nuk është zbatuar asnjëherë. Në raport përmenden disa kompani farmaceutike si përgjegjëse për vonesat e përsëritura: Rejsi Farma, Megapharma, Intermed, Deltapharma-al, Incomed, Trimed. Sipas KLSH, pavarësisht shkeljeve të qarta, këto kompani janë trajtuar si “operatorë pa probleme”, duke vijuar të furnizojnë tregun pa asnjë pasojë kontraktuale.
Për këtë sjellje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vendosur një masë administrative ndaj Fondit te sigurimit të detyrueshëm shëndetësor, duke e konsideruar mosveprimin një dështim serioz të mekanizmave të kontrollit. Në raport theksohet se kjo situatë jo vetëm që ka dëmtuar financat publike, por mbi të gjitha ka kontribuar në mungesën e barnave jetike për pacientët me kancer.
Raporti i KLSH nxjerr në pah një zinxhir dështimesh ku kompanitë vonojnë, pacientët mbeten pa ilaçe, ndërsa institucioni që duhet të mbrojë interesin publik nuk vendos as gjobat e parashikuara me ligj