Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas jehonës ndërkombëtare që mori ironia e tij gjatë takimit në Kopenhagë me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, dhe presidentin francez, Emmanuel Macron, ku ai u tall me një nga lapsuset e presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte ngatërruar Shqipërinë me Armeninë.
Sipas kryeministrit Edi Rama, ajo që ai tha për Trump në prani të Macron “nuk ishte gjë tjetër veçse një moment humori i mirë midis njerëzve që, në fakt, janë ndër admiruesit më të mëdhenj të Presidentit Trump”.
Rama më tej vlerëson rolin e Presidentit Trump, duke theksuar se është një lider që i riktheu fjalës “paqe” rëndësinë në fjalorin e Perëndimit.
“Në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër, ai ka arritur paqe aty ku të tjerët dështuan dhe vazhdon ta ndjekë atë pa reshtur.”
“Ishte një moment humori i mirë mes miqsh. Sigurisht, nuk ka asnjë problem që të shpërndahet, por të shndërrohet në helm politik është thjesht e padrejtë,” shton Rama.
Postimi i plote:
Është me të vërtetë e jashtëzakonshme se si funksionon sot media dhe se si e ashtuquajtura “viralitet” mund të shtrembërojë kaq lehtë realitetin. Një fjali e thënë me humor, në frymë miqësie, papritmas shëndrrohet në titull ndërkombëtar të një samiti me dhjetëra vende, ndërkohë që gjithçka tjetër, thelbi i vërtetë, bëhet i parëndësishëm.
Por po, ishte kënaqësi sot të isha me mikun tim të vjetër Ilham Aliyev dhe, në praninë e mikut tonë të dashur të përbashkët Emmanuel Macron, të rikujtoja një lapsus të Presidentit Trump, i cili dikur tha se edhe Shqipëria kishte arritur të bënte paqe me Azerbajxhanin, ndërkohë që Emmanuel vetë kishte punuar pa lodhje, për një kohë të gjatë, për të sjellë paqen mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.
Një shaka, një moment miqësor. Sigurisht, s’ka asnjë problem nëse përhapet, por ta shtrembërosh e ta kthesh në helm politik është thjesht e padrejtë. Prandaj le ta themi troç:
E vërteta është që Presidenti Trump është treguar si një lider që riktheu fjalën ‘paqe’ në fjalorin e Perëndimit pas shumë vitesh. Dhe po, në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër, ai arriti paqe aty ku të tjerët kishin provuar por kishin dështuar, dhe vijon ta ndjekë atë me ngulm.
Ajo shkëmbesë nuk ishte gjë tjetër veçse një moment humori mes njerëzish, të cilët në fakt janë ndër admiruesit më të mëdhenj të Presidentit Trump.