Vrasja e Edoardo Sarchi-t/ Rrahja dhe varrosja e shpejtë pa autopsi, misteret rreth vdekjes së menaxherit nga Varese

Gazeta prestigjioze italiane Corriere della Sera i ka kushtuar një artikull të gjatë rastit të vrasjes së biznesmenit italian Edoardo Sarchi në Shqipëri, duke e cilësuar një histori të mbushur me mistere, kontradikta dhe dyshime për fshehje të qëllimshme.

Sarchi, sipërmarrës ndërtimi nga provinca Varese, banues prej kohësh në Shqipëri dhe i martuar me një shqiptare 44-vjeçare, u vra të shtunën në fshatin Salari. Sipas burimeve të përmendura nga Corriere, ai nuk është qëlluar me armë zjarri, por me një shkop në kokë. Megjithatë, rrethanat mbeten të paqarta dhe dëshmitë janë të ndryshme.

Tre bashkëpunëtorë shqiptarë, që ishin me të ditën e ngjarjes, kanë dhënë versione kontradiktore: njëri përmend një sulm të papritur nga një person i armatosur, një tjetër flet për një konflikt mes Sarchit dhe një 48-vjeçari ende në arrati, ndërsa një version tjetër thotë se gjithçka ndodhi gjatë një shëtitjeje gjuetie, por pa gëzhoja të gjetura në vendngjarje. Personi i dyshuar, i njohur për pasionin ndaj armëve, akuzohet edhe për trafik droge e armëmbajtje pa leje.

Ndërkohë, dyshimet janë shtuar për shkak të varrimit të shpejtë e privat, i organizuar menjëherë pas ngjarjes me kërkesë të gruas së Sarchit, pa u kryer autopsi dhe pa ndonjë verifikim zyrtar. Kjo ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën si po orientohet hetimi.

Sipas Corriere della Sera, personat që shoqëronin biznesmenin nuk janë figura të zakonshme, por anëtarë të një familjeje me lidhje të hershme politike dhe të akuzuar për marrëdhënie me rrjete kriminale ndër vite. Ky detaj, sipas medias italiane, i jep ngjarjes një dimension edhe më të ndërlikuar.

Shqipëria, një vend që sot investon në turizëm dhe zhvillim, mbetet shpesh e ndikuar nga e kaluara e errët dhe lidhjet e fshehta që e kthejnë në skenë histori të mistershme dhe të dyshimta si kjo.