“As ujë e drita pa dalë hipoteka”, Rama: S’do lejohen të futen në apartamente

Kryeministri Edi Rama po mban një konferencë për shtyp nga Kryeministria me ministren e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu dhe ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari.

Rama prezantoi masat e masat e marra nga qeveria për forcimin e kontrollit mbi territorin, dhe theksoi se në të gjitha ndërtimet e reja, uji dhe dritat do të lidhen vetëm pas marrjes së certifikatës së pronësisë. Nisur nga kjo, theksoi kryeministri, banorët e pallateve të reja nuk do të lejohen të futen në apartamente që nuk janë pajisur me hipotekë.

“Edhe ky është një aspekt që ka çaluar shumë deri sot, më tutje është forcimi i mekanizmit të kontrollit duke përcaktuar 4 faza të detyrueshme kontrolli nga ana e njësive të vetëqeverisjes vendore, pastaj vjen detyrimi për dhënien e certifikatës së detyrimit, i zhvillimit të territorit, vetëm pas konfirmimit të aktit kontrollit nga qeveria e vetëqeverisje vendore, dhe përfundimin sipas lejes së ndërtimit, në përputhje me projektin arkitektonik të miratuar.

Uji dhe dritat lidhen vetëm pas marrjes së certifikatës së përdorimit. E keni parasysh që arsyeja pse njerëzit mbetem pa hipotekë është se ndërtuesit nuk respektojnë të gjithë parametrat e lejeve të ndërtimit dhe mbikëqyrja nga Bashkitë është kontestuar të jetë e dobët, gjë që kthen drejtpërdrejtë në viktimë atë që është në fakt jo vetëm i pafajshëm, por që është i zoti i investimit, qytetari që ka paguar për të pasur një shtëpi. Nuk do të lejohet më që të futen njerëzit nëpër apartamente pa u përfunduar objekti dhe pa u pajisur njerëzit me hipotekën. Një gjë e papranueshme dhe e patolerueshme më tutje”, tha Rama.