Nga sot, kalimi në tunelin e Llogarasë është me pagesë.
Pas dy sezonesh verore ku kalimi ishte pa tarifë, tashmë përdoruesit e mjeteve duhet të paguajnë, pas publikimit në Fletoren Zyrtare të çmimeve për secilën kategori mjetesh.
Skema e pagesës është ndarë në 5 kategori automjetesh:
Motoçikletat dhe mjetet me dy rrota: 100 lekë
Automjetet me dy boshte dhe lartësi deri 1.30 m (makina pasagjerësh dhe automjete të lehta shpërndarjeje): 250 lekë
Automjetet me më shumë se dy boshte dhe lartësi deri 1.30 m (makina pasagjerësh me rimorkio, automjete të lehta shpërndarjeje me rimorkio): 500 lekë
Automjetet me dy ose më shumë boshte dhe lartësi mbi 1.30 m (furgonë, minibusë, automjete të mesme): 1,000 lekë
Mjetet e rënda me tre ose më shumë boshte dhe lartësi mbi 1.30 m (autobusë, kamionë me shumë rimorkio): 5,000 lekë
Tuneli i Llogarasë është një vepër infrastrukturore e sulmuar shpesh nga opozita dhe nën hetim nga SPAK.
Kostoja e ndërtimit të tunelit ka kapur vlerën mbi 260 milion €, ku janë zhvilluar disa procedura tenderimi, ku ekspertët kanë ngritur dyshime për korrupsion dhe konflikt interesi.
Ndërtimi i tunelit nisi më 15 nëntor 2021, pas shpalljes së një gare tenderuese që u fitua nga një konsorcium turk i përbërë nga dy kompani: “Intekar Yapi” dhe “Asl Insaat”. Por tenderi mbart “flamur të kuq” për garë të pandershme, sipas Open Procurement Albania.