Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të ashpra kundër shkeljeve në sektorin e ndërtimit, duke njoftuar krijimin e një “liste të zezë” për të gjithë abuzuesit.
Kjo listë do të përfshijë jo vetëm kompanitë, por edhe individët që kanë shkelur ligjin, të cilët do të përjashtohen nga mundësia për të marrë leje ndërtimi për një periudhë 5-vjeçare.
“Në këtë listë do të përfshihen zhvilluesit, shoqëritë, administratorët, ortakët dhe pronarët përfitues që kanë shkelur ligjin,” deklaroi Rama.
Në listën e zezë edhe për ndryshimet minimale në projekt
Kryeministri theksoi se shkeljet që do të çojnë në përfshirjen në këtë listë nuk kufizohen vetëm në ndërtimet pa leje. Edhe ndryshimet e vogla, si p.sh. një ndryshim i thjeshtë në fasadë i bërë pa autorizim, do të konsiderohet shkelje dhe do të ndëshkohet me gjobë dhe futje në listën e zezë.
Kjo listë do të jetë publike dhe e aksesueshme nga të gjithë, duke synuar rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë.
Penalitet edhe për arkitektët
Sanksionet nuk do të prekin vetëm ndërtuesit. Sipas masave të reja, edhe arkitektët që janë të përfshirë në shkelje të ligjit do të penalizohen rëndë. Licenca e tyre do të hiqet për një periudhë prej pesë vitesh dhe u ndalohet ushtrimi i profesionit. Këto masa synojnë të disiplinojnë të gjithë zinxhirin e përfshirë në procesin e ndërtimit, nga projektimi deri te zbatimi.